Qeveria heq masën anti-dumping për bllokat serbe

Ishte viti 2011 kur Lëvizja Vetëvendosje rrokulliste maunet me mallra që vinin nga Serbia drejt Kosovës. Një ndër ta qe me material ndërtimor. Për bllokat e importuara, kjo Lëvizje pati dizajnuar edhe parulla. E për disa ditë ishte barrikaduar edhe në pikat kufitare me Serbinë.

Por, tani më 2021, kjo parti është në pushtet. Dhe si drejtuese e qeverisë, e shfuqizoi masën mbrojtëse antidamping prej 2 centë për çdo bllok të ardhur nga shteti serb, pesë vjet pas vendosjes së saj.

Sipas Ministrisë së Tregtisë, kaq kohë edhe ka pasur afat masa, andaj Zyra Ligjore ka rekomanduar heqjen e saj.

Por Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve konsideron se vendimi i 2016-ës do të mund të vazhdohej. Sipas tij, largimi i 2 centëshit e dëmton tregun vendor.

Prodhuesi vendor Mustafë Borovci thotë se situata e re i vë në konkurrencë me prodhuesit serbë të cilët e kanë përkrahjen e shtetit dhe ushtrojnë ndikim të ashpër në Kosovë.

Kurse distributori Ilmi Vitia thotë se tregu kosovar nuk ka nevojë për bllokat e Serbisë.

Ky vendim i ekzekutivit nuk kaloi pa zhurmë te opozita. Madje Frashër Krasniqi nga Partia Socialdemokrate, që dikur ishte pjesë e aksioneve të VV-së, thotë se qeveria ka ndërruar qëndrim karshi Beogradit.

Për hapje ndaj këtij të fundit kritikojnë edhe partitë e tjera opozitare.

Edhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, ka reaguar duke e akuzuar pasardhësin Albin Kurti si mashtrues nën petkun e patriotit.

Megjithatë, MINT është sqaruar se po e heton materialin ndërtimor argjilor dhe, nëse vërtetohet se po dëmtohen prodhuesit kosovarë, do të rivendoset masa antidamping.