Vendet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike në Kosovë të përmbahen nga “ndërmarrja e hapave të mëtejshëm” për pengimin e regjistrimit të partive të komunitetit pakicë për zgjedhjet e ardhshme lokale, një ditë pasi partisë më të madhe të serbëve në vend iu mohua certifikimi.
Në një deklaratë të përbashkët të premten, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së në Kosovë, shprehën shqetësimin e tyre pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi Listën Serbe.
“Shprehim shqetësimin lidhur me përpjekjet e aktorëve politikë për të kufizuar garën midis partive politike që përfaqësojnë komunitetet pakicë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit”, thuhet në deklaratë.
Në mbledhjen e KQZ-së të enjten nuk u certifikua as partia Demokracia Serbe (Srpska Demokratija) e Aleksandar Arsenijeviqit, i cili kërkohet nga autoritetet e sigurisë në Kosovë.
QUINT dhe BE vlerësuan se “çdo veprim i tillë për të përjashtuar komunitete të caktuara cenon parimet demokratike dhe minon besimin në institucionet e Kosovës”.
Ato thanë se “presim që qeveria në detyrë dhe të gjitha partitë politike të përmbahen nga hapa të mëtejshëm që mund të pengojnë regjistrimin e partive”.
Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, votuan kundër certifikimit të Listës, ndërsa anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, abstenuan.
Të premten më herët, Lista Serbe bëri ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit të KQZ-së për moscertifikimin e saj për zgjedhjet e 12 tetorit.
Në një konferencë për media, kjo parti tha se moscertifikimi i saj është “i paligjshëm dhe diskriminues”.
QUINT dhe BE nënvizuan se inkurajojmë partitë e prekura të shfrytëzojnë plotësisht Panelin e Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore për të kërkuar zgjidhje.
“Të gjitha procedurat duhet të zhvillohen rreptësishtë në përputhje me rregullat dhe mandatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet tutje në deklaratë.