Xhavit Haliti

Rafuna kritikon Qeverinë për rritjen e pagës minimale: Vendim pa konsultim dhe pa analiza

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka kritikuar mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka zyrtarizuar rritjen e pagës minimale, duke thënë se vendimi është marrë pa konsultim me sektorin privat dhe pa analiza për ndikimin ekonomik.

Qeveria ka vendosur që paga minimale të rritet në dy faza gjatë vitit 2026, në 425 euro bruto nga janari dhe në 500 euro nga korriku.

“Vendimi është marrë pa një konsultim dhe pa një analizë paraprake për me pa se çfarë ndikimi do të ketë”, ka deklaruar Rafuna për Ekonomia Online, duke shtuar se bizneset po presin ende efektet konkrete të kësaj mase.

Mes tjerash ai theksoi se bizneset janë përballur me sfida të njëpasnjëshme, si rritja e çmimit të energjisë elektrike, dalja në tregun e lirë, pasiguria politike dhe tatimi në pronë.

Rafuna shtoi se rritja aktuale e pagës minimale “i ka ngarkuar dyfish bizneset” dhe do të ketë ndikim më të madh në rajonet jashtë Prishtinës, veçanërisht për bizneset e reja dhe start-upet.