Rama: Ilir Meta ka mbaruar punë, sot të flasë Kuvendi me votë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga foltorja e Kuvendit të mbledhur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta tha se presidenti aktual i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset e dhëna për t’u kthyer brenda ligjit, ndaj nuk e meriton më statusin që i ka dhënë parlamenti për të qenë në krye të shtetit.

Në një fjalim më të shkurtër se sa ishte parashikuar kryeministri e akuzoi presidentin Meta si tradhtar të Kushtetutës dhe si njeriu që ka turpëruar vendin në raport me partnerin strategjik SHBA dhe përfaqësitë ndërkombëtare në vend.

“Ilir Meta ka tradhtuar misioni e Presidentit të Republikës, ka poshtëruar Kushtetutën e republikës, Ilir Meta ka shembur institucionin e garantimit të unitetit kombëtar, ka dhunuar kufirin jetik të ndarje së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare, ka turpëruar Shqipërinë në marrëdhënien speciale me SHBA, shkruan Euronews.al.

Ilir Meta ka zhgarravitur fytyrën e shtetit në marrëdhënie me përfaqësitë ndërkombëtare në Shqipëri, Ilir Meta i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset e dhëna bujarisht për t’u kthyer në binarët moralë dhe ligjorë”, tha kryeministri.