Rasti “Posta”, pas aktakuzës së ndryshuar përfaqësuesi i PTK-së thotë se ndihen palë e dëmtuar

Pasi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ka ndryshuar aktakuzën në rastin e te ish-drejtuesve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), tash Telekomi i Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, përfaqësuesi i PTK-së, Gazmend Mehmeti ka thënë se ndihen palë e dëmtuar.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë në seancën e së mërkurës, në rastin e njohur si “Posta”, i cili është edhe rast i shenjëstruar për liberalizim të vizave, ku tre të akuzuarit po dyshohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Ata po pretendohet se i kishin shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro, lidhur me kontratën e nënshkruar me “Z-Mobile”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e parë pas kthimit të rastit në rigjykim, të mbajtur me 20 maj 2021, prokurori special Naim Abazi ka bërë ndryshimin e përshkrimit të aktakuzës dhe sipas tij, në këtë rast palë e dëmtuar duhet të jetë edhe PTK-ja.

Për këtë, në seancën e së mërkurës ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i PTK-së Gazmend Mehmeti, i cili në fjalën hyrëse ka deklaruar se në Telekomin e Kosovës që nga inicimi i procesit në procedurën e Arbitrazhit ndërkombëtar në vitin 2015, nuk ka ndonjë vendim që është konstatuar se në veprimet e të akuzuarve ka lëshime apo tejkalime në kryerjen e detyrave të punës.

Por sipas tij, nëse gjykata në procesin e iniciuar konstaton se në veprimet e tre të akuzuarve ka elemente të veprave penale, atëherë sipas tij, në cilësinë e të dëmtuarve i bashkëngjitën ndjekjes penale dhe do të parashtrojnë kërkesë për kompensimin e dëmit të shkaktuar në këtë proces.

“E ndjejmë veten palë të dëmtuar”, ka thënë përfaqësuesi i PTK-së.

Ndërsa, prokurori Abazi ka thënë se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar, si dhe pranë propozimit për dëgjimin e përfaqësuesit të PTK-së.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ejup Qerimi, avokati Hilmi Qerimi, pasi ia ka dorëzuar gjykatës fjalën përfundimtare me shkrim, ka thënë se aktakuza është ngritur në adresë të gabuar dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të akuzuarve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, avokati Artan Qerkini ka thënë se sipas vendimit të Apelit, në këtë proces gjyqësor pas kthimit të rastit në rigjykim objekt trajtimi për të akuzuarin Mustafa duhen të jenë vetëm dy çështje: mundësia e tij për parandalimin e procedurës së Arbitrazhit dhe vendimi i ARKEP.

Ai ka thënë se vendimi i Gjykatës së Apelit vetëm ka qartësuar disa çështje se si i akuzuari Mustafa e kishte marrë pozitën e kryeshefit ekzekutiv dy muaj para se të iniciohet procedura e Arbitrazhit, të cilin fakt sipas avokatit e kishin dëshmuar edhe dëshmitarët e dëgjuar gjatë procesit të kaluar gjyqësor.

“Këtë fakt ne nuk e kontestojmë, prandaj nuk ka nevojë të merren prova, nuk e kam të qartë se çka ka dashur Apeli me thanë kur krejt ideja ka qenë a ka mujt me parandalu apo jo dhe sipas dëshmitarëve nuk ka mujt me parandalu një proces të Arbitrazhit. Kush mundet me ndalë dikë me parashtru padi nëse në kontratë është paraparë kjo? Vet akuza është e pabazuar, se në këtë drejtim as që mund të ketë keqpërdorim detyre”, ka thënë avokati Qerkini.

Sipas tij, i akuzuari Mustafa nuk ishte dashur të akuzohet për mosveprim të procedurës së Arbitrazhit, pasi tha se vet Gjykata e Apelit kishte konstatuar se të pandehurit drejtë kishin vepruar kur kishin marrë për bazë mendimin e zyrës ligjore, e cila e kishte parë të nevojshme që çështja të kryhet përmes Arbitrazhit.

“Prandaj kjo nuk është përgjegjësi e Mustafës, se nuk e ka zgjedhur një kontest për dy muaj sa ka qenë drejtor, të cilin kontest vet zyra ligjore ka thënë se PTK nuk e ka obligim që ti përmbushë kërkesat e Z-Mobile”, ka thënë avokati.

Ai ka thënë se vet ARKEP kishte konstatuar se PTK-ja e kishte përmbushur obligimin me rezervimin e numeracionit për Z-Mobile, prandaj sipas avokatit, nuk ka përgjegjësi penale nga ana e tre të pandehurve me pretendimin se nuk e kishin zbatuar këtë vendim.

“Apeli lidhur me shërbimet 3G dhe 4G thotë se shumë mirë që nuk ua dhanë ato shërbime se vet zyra ligjore ka thënë që nuk iu takojnë këto shërbime Z-Mobile, atëherë këta është dashur me ngu opinionin e zyrës ligjore për 3G dhe 4G e jo për vendimin e ARKEP-it?”, ka thënë Qerkini.

Lidhur me vendimin e Apelit, avokati Qerkini ka thënë se vendimet e gjykatës penale i obligojnë gjykatat civile por jo edhe anasjelltas dhe sipas tij, në këtë rast Apeli kishte kërkuar që gjykata penale t’i bindet Gjykatës së Arbitrazhit në një kontest civil.

Sipas tij, çdo rivlerësim i fakteve bazuar në provat që ishin administruar në këtë shqyrtim gjyqësor do të qojë në epilogun e shpalljes së aktgjykimit lirues.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gjonbalaj, avokati Teki Bokshi ka thënë se pas kthimit të lëndës në rigjykim, ishte mbetur të shqyrtohen lifterimi i sim-kartelave dhe rezervimi i bllokut të numeracionit, që sipas tij, bordi i drejtorëve nuk kishte asnjë lidhje me këto çështje dhe se me asnjë dispozitë ligjore nuk ishte arsyetuar se bordi drejtues duhet të merret më këto çështje.

“Rexhë Gjonbalaj nuk e ka pasur për detyrim të përmbushë kontratën dhe detyrimet që parashihen me dispozitat e aktgjykimit të Apelit, kryesuesi i bordit të drejtorëve sa i përket menaxhimit të kontratave nuk ka qenë detyrë e tij, por ka qenë pjesë e personave që kanë menaxhuar me kontratën”, ka thënë avokati.

Sipas tij, të akuzuarit Gjonbalaj asnjëherë nuk i ishte dorëzuar apo nuk ishte njoftuar lidhur me vendimin e ARKEP-it e as për padinë e parashtruar në Arbitrazh, pretendime të cilat sipas tij mund t’i vërtetojnë edhe anëtarët e bordit të PTK-së, të cilët tha se do t’i propozojnë që të dëgjohen në këtë shqyrtim gjyqësor.

Ai ka thënë se ka prova dhe dëshmi që i mbrojturi i tij ishte angazhuar në mënyrë speciale për mbrojtjen e interesave të PTK-së.

“Të gjitha detyrat i ka kryer konform dispozitave ligjore, këtë e ka konfirmuar edhe qeveria e Kosovës, pasi nëse nuk do të kishte performancë të mirë nuk do të ishte zgjedhur edhe në mandatin e dytë. Sa ka qenë kryesuesi i bordit i kanë nda qeverisë afër 500 milion euro, në këtë rast nuk i ka shkaktuar askujt dëm”, ka thënë avokati.

Ndërsa, i akuzuari Gjonbalaj ka thënë se mos përmbushja e obligimeve kontraktuale ka ardhur deri te vendimi i Arbitrazhit, për të cilën kontratë tha se nuk ka qenë përgjegjësi e kryesuesit të bordit apo bordit, por e menaxherëve të kontratave.

Pas dhënë së fjalës hyrëse, prokurori Abazi ka thënë se ishte e rëndësishme që në cilësi të palës së dëmtuar të dëgjohen Milot Gjikolli dhe Blerim Devolli, pasi sipas tij, në seancën e kaluar përfaqësuesit e tyre kishin qenë konfuz se a ishin palë e dëmtuar apo jo.

Ai ka thënë se të dy duhen të deklarohen lidhur me kërkesën pasurore-juridike të cilën supozojnë që e kishin realizuar dhe se a flitet për dëmin e njëjti siç pretendohet në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti e ka kundërshtuar propozimin e avokatit Bokshi për dëgjimin e anëtarëve të bordit, si dhe propozimi i tij për administrimin e disa provave materiale që kishin të bëjnë me një çështje civile.

Ndërsa prokurori ka propozuar që të lexohen të gjitha deklaratat e dëshmitarëve dhe provat e tjera që ishin administruar në shqyrtimin e kaluar gjyqësor, të cilin propozim nuk e kanë kundërshtuar as mbrojtësit e të akuzuarve.

Por propozimin për dëgjimin e të dëmtuarve Gjikolli dhe Devolli e ka kundërshtuar mbrojtësi i Qerimit, avokati Elmi Qerimi, pasi sipas tij, prokuroria duhet të përcaktojë nëse të njëjtit ishin palë të dëmtuara në këtë proces.

Ai si provë e ka propozuar një njoftim të Monaco Telekom Internacional, i cili në vitin 2010, në formë të kërkesës ia kishte dorëzuar kryeshefit ekzekutiv të atëhershëm Shyqeri Haxhës dhe i kishte dhënë rekomandime të caktuara, nga e cila kërkesë sipas avokatit shihet se kush e kishte bërë ndalesën e lifterimit të sim-kartelave për PTK dhe Z-Mobile.

Edhe mbrojtësi i Mustafës, avokati Qerkini e ka kundërshtuar propozimin e prokurorit Abazi për dëgjimin e Gjikollit dhe Devollit, pasi sipas tij, prokuroria me precizimin e aktakuzës kishte theksuar se palë e dëmtuar tash ishte PTK-ja, prandaj ai tha se nuk mund të ishin palë të dëmtuara edhe Dardafon.net edhe PTK.

Pasi të gjitha propozimet e mbrojtjes i ka kundërshtuar prokurori Abazi, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala ka thënë se lidhur me këto propozime do të vendoset në seancën e radhës e cila pritet të mbahet me 23 qershor 2021, në ora 10:00.

Sipas aktakuzë së ndryshuar në seancën e 20 majit 2021, Ejup Qerimi nga shkurti 2012 e deri në tetor 2014, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, me qëllim që ti shkaktoj dëm PTK-së duke mos e zbatuat kontratën e lidhur me Z-Mobile të datës 16 janar 2009.

Për shkak të kësaj, sipas PSRK-së kishte ardhur deri tek vonesa në lifterimin e sim-kartelave, duke mos e furnizuar operatorin “Dardafon.net L.L.C”, (Z-Mobile) me bllokun e numeracionit, edhe pse nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ishte marrë vendim për rezervimin e serisë se numeracionit 045 për përdorim nga Z-Mobile.

Mirëpo sipas PSRK-së, Qerimi me dashje dhe duke qenë në dijeni kishte refuzuar që ti zbatojë këto vendime të plotfuqishme, ku si rezultat i kësaj procedura ishte zhvilluar pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, e cila gjykatë e kishte vlerësuar përgjegjës PTK-në.

Për këtë, Telekomi i Kosovës ishte detyruar që Z-Mobile t’ia paguajë shumë 32,856,407.28 euro, pa i llogaritur shpenzimet e krijuara lidhur me procedurat gjyqësore.

Edhe i akuzuari Agron Mustafa sipas aktakuzës së ndryshuar, po dyshohet se nga 23 shkurti 2015, në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, deri në fillim 2018, nuk e kishte zbatuar vendimin e ARKEP-it për rezervimin e serisë së numeracionit 045 për Z-Mobile dhe nuk e kishte parandaluar inicimin e procedurën pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Ndërsa Rexhë Gjonbalaj sipas kësaj aktakuze, nga 16 janari 2009, nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të kryesuesit të Bordit të Drejtorëve të PTK-së, nuk kishte marrë asnjë vendim për përmbushjen e obligimeve sipas vendimit të ARKEP-it edhe pse nga përfaqësuesit e Z-Mobile dhe nga drejtorit menaxhues Milot Gjikolli, i ishte tërhequr vërejtja se nëse përmbushen obligimet e dëmtuara çështjen do ta dërgoj në Arbitrazh.

Për këto veprime, tre të akuzuarit po dyshohen se kanë krye veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga nenin 422, paragrafi 1, i Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, aktakuza në këtë rast ishte ngritur me 17 gusht 2018, ndërsa seanca fillestare ishte mbajtur me 27 shtator 2018, ku tre të akuzuarit kishin mohuar në tërësi aktakuzën e PSRK-së, ndërsa me 7 nëntor 2018 kishin kërkuar që të hudhet kjo aktakuzë.

Këto kërkesa të tyre i kishte marrë për bazë edhe gjykatësi i këtij rasti, Lutfi Shala i cili në dhjetor 2018 e kishte hudhur poshtë këtë aktakuzë, me pretendimin se nuk ishte vërtetuar se të akuzuarit kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.

Por, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e PSRK-së, të ushtruar ndaj këtij aktvendimi, duke vlerësuar se kjo çështje duhet të gjykohet.

Pas tetë seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 21 tetor 2019, me arsyetimin se nuk kishte pasur prova të besueshme, i kishte liruar nga akuzat tre ish-drejtuesit e PTK-së.

Sipas gjykatësit Shala, gjykata kishte gjetur se të gjitha provat e propozuara nga PSRK-ja, si dëshmitar, e po ashtu edhe provat tjera materiale vetëm kanë konstatuar ekzistimin e një marrëdhënieje kontraktuale juridiko-civile dhe asgjë më shumë.

Mirëpo, kundër këtij aktgjykimi lirues, ankesë kishte paraqitur PSRK, për shkak të pretendimeve për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke propozuar që ky aktgjykim të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Këto pretendime të PSRK-së i kishte marrë për bazë Gjykata e Apelit e cila në maj të vitit 2020, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim. /BetimipërDrejtësi/