Rënie drastike e Kosovës në lirinë e medias

Kosova renditet e 99-a në botë nga 180 shtete në indeksin vjetor të 2025-s për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij. Rënie alarmuese në lirinë e shtypit e ka vlerësuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, ku në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në vendin e 75-të.

Në indeks, Kosova renditet më së keqi në raport me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria renditet e 80-a, Mali i Zi i 37-i, Maqedonia e Veriut 42-ta, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-a.

Në raport thuhet se liria e medias kërcënohet nga rregullimi i politizuar, qasja e pamjaftueshme në informacionin publik dhe rreziqet serioze për sigurinë e gazetarëve.

Thuhet tutje se gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike.

“Rregullatori joefektiv i medias, Komisioni i Pavarur i Mediave, iu nënshtrua një reforme legjislative kontraverse që rrezikon të pengojë më tej pavarësinë e tij. Para zgjedhjeve të vitit 2025, disa media private u shënjestruan nga një bojkot nga qeveria, e cila kërcënoi edhe pavarësinë e transmetuesit publik RTK. Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën  presionin e forcave politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacion publik, veçanërisht në gjuhën e tyre”, thuhet aty.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se është i alarmuar me “një rënie të re drastike të Kosovës në renditjen e re të Indeksit Vjetor të Lirisë së Shtypit”.

“AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore ndaj mediave, në dy vitet e fundit nga Qeveria e udhëhequr nga partia politike, Vetëvendosje”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Ndërkohë, AGK ka bërë thirrje për punë të përbashkët të akterëve institucionalë me shoqërinë civile, përfshirë për hartimin e një ligji të ri të KPM-së.

Ligji për KPM-në i miratuar vitin e kaluar parashihte licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro. Këtë javë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi ligjin pasi gjeti se disa nene nuk ishin në përputhje me Kushtetutën.