Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se kjo javë do të karakterizohet me kushte të ndryshueshme meteorologjike dhe temperatura më të ulëta, tipike për stinën e vjeshtës.
Sipas parashikimeve, të hënën dhe të martën pritet të ketë reshje shiu me intensitet të ndryshueshëm, ndërsa në disa zona reshjet mund të jenë më të theksuara.
Nga e mërkura, mëngjeset do të jenë më të ftohta dhe në shumë zona të ultësirave parashihet paraqitje e mjegullës gjatë orëve të hershme të ditës.
Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit dhe juglindjes.
Në përgjithësi, gjatë javës pritet mot vjeshtor me periudha me diell, vranësira dhe reshje të përkohshme.
Për ditën e hënë, parashikohet mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 5 deri në 8°C ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 10 deri në 13°C.
Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi prej 1 deri në 7 m/s.