Rikthehet euforia për Bitcoinin – po afrohet procesi i madh që pritet ta ngrisë çmimin

Kriptovaluta më e madhe në botë, Bitcoin, ka kaluar sot vlerën e 51 mijë dollarëshit për herë të parë në dy vjet, duke rikthyer euforinë dhe duke shtuar pritjet para procesit të njohur si “halving”.

Bitcoini ngel larg shifrës prej 69 mijë dollarëshe që ishte më e larta ndonjëherë. Por kriptovaluta është këndellur muajve të fundit, duke u rritur për gati 200 për qind që nga viti 2022 kur ishte 16 mijë dollarë.

Euforia është ndër pikat kyçe që ndikojnë në rritjen e investimeve në Bitcoin, dhe në rritjen e vlerës së tij.

Çka është “halving”?

Ky proces është pjesë e konceptit fondamental të filozofisë së Bitcoinit. Ndodh çdo katër vjet dhe në teori e ngrit çmimin.

Bitcoini është aset i decentralizuar – pra vlera nuk kontrollohet nga bankat apo institucione të tjera, por nga rrjetet kompjuterike që auditojnë të gjitha transaksionet e bitcoinit në procesin kompleks e me energji intensive të quajtur ‘mihje’. Njerëzit e thjeshtë që e bëjnë këtë proces shpërblehen për punën e tyre në bitcoinë.

Dhe çdo katër vjet, numri i bitcoinëve që merr një mihës (auditor) përgjysmohet.

Kjo bëhet për disa arsye. Bitcoini është burim i kufizuar – do të jenë vetëm 21 milionë valuta të tilla në qarkullim dhe ideja është të ruhet vlera e tij. Ulja e vlerës së shpërblimit ndihmon në luftën kundër inflacionit dhe stimulon mihësit. Në teori, inflacioni ulet dhe bitcoinit i rritet vlera.

Në vitin 2020, shpërblimi ra nga 12.5 bitcoinë në 6.25. Këtë vit, diku kah prilli, do të bjerë nga 6.25 në 3.125.

Investitorët, duke marrë shembuj proceset e njëjta në të shkuarën, kanë rritur investimet.

Në dy vjet para dhe pas “përgjysmimit” të parë më 2012 pati rritje të çmimit prej gati 30 mijë për qind. Më 2016, rritja ishte 800 për qind, e më 2020 rreth 700 për qind.