Rrustemi i VV-së thotë se Kujtim Shala i LDK-së është infektuar me koronavirus

Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga LDK, Kujtim Shala ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus. 

Rrustemi tha se protesta e Vetëvendosjes nuk ka ndikuar në rritjen e rasteve me koronavirus. Sipas tij, Arben Gashi e Kujtim Shala kanë dalë poztiv edhe pse nuk kanë marrë pjesë në protestë. 

“Arben Gashi e Kujtim Shala të infektuar tashmë, nuk kanë qenë pjesëmarrës në protestën e Vetëvendosjes…po edhe Kujtimi sot ishte njoftuar”, ka thënë Rrustemi në T7.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë se e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës një listë të personave me të cilët kishte pasur kontakt.

“Sekretarisë së Kuvendit ia kam dorëzu një listë të njerëzve që i kam kontaktu”, ka thënë Gashi për Sinjalin.

Tutje, ai nuk ka dashur të flasë për gjendjen e tij shëndetësore.

“S’jam i interesuar të flas për këtë temë me thënë të drejtën”, ka thënë Gashi.

Të dielen, vetë Gashi përmes një postimi në Facebook njoftoi për infektimin, duke treguar edhe për simptomat që i ishin shfaqur.