Rukiqi apel bizneseve: Respektojeni masat ose mund të ktheheni në pikën zero

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, u ka bërë apel bizneseve që të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së.

Pas lehtësimit të masave parandaluese për përhapjen e koronavirusit, është bërë edhe hapja graduale e bizneseve dhe përpjekjes për rimëkëmbjen e ekonomisë në vend, shkruan lajmi.net.

Mirëpo shumë biznese e në veçanti në ato të gastronomisë, distanca fizike dhe rekomandimet e tjera të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nuk po zbatohen.

Duke e parë këtë gjendje, ka reaguar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili iu ka bërë thirrje bizneseve që t’i respektojnë në përpikëri të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së, në të kundërtën siç deklaroi ai, do të mund të kthehen në pikën zero.

Postimi i plotë i Rukiqit, pa ndërhyrje:

Lutje për bizneset e hapura: Respektoni masat mbrojtëse dhe parandaluese për COV-19

Kemi bere shume përpjekje dhe mund për te lejuar hapjen graduale te ekonomisë, edhe shume me shpejt se vendet tjera, por gjithçka mund te kthehet ne piken 0, nëse masat për te cilat jemi zotuar qe do t’i respektojmë, nuk respektohen, sidomos ne bizneset ku ka grumbullime dhe turma. Bota ka filluar t’i kthehet normalitetit, por ky normalitet tani i ka rregullat e veta. Rregull mbi rregullat është kujdesi për veten dhe te tjerët, duke mbajtur distancën, duke mbajtur maskat (sidomos stafi) dhe duke bere dezinfektime te rregullta.

Mospërhapja e virusit dhe shkuarja drejt përfundimit zyrtar te pandemisë na lejon te fokusohemi ne pjesën e masave për rimëkëmbjen e ekonomisë. Sa me shpejt qe kemi përfundim zyrtar te pandemisë, aq me e shpejte do te jete rimëkëmbja ekonomike.