Thaçi: Kosova është gati për dialogun me Serbinë, duhet të lëvizim shpejtë në këtë drejtim

Presidenti Hashim Thaçi, të hënën ka thënë se Kosova nuk duhet të vonohet në dialogun me Serbinë. Ai në një konferencë për media, tha se duhet lëvizur shpejtë në këtë drejtim në mënyrë që të Kosova të anëtarësohet në BE e NATO.

Thaçi tutje ka shtuar se është optimist se marrëveshja me Serbinë do të arrihet brenda këtij viti.

“E para si president shpreh mirënjohjen për heqjen e çfarëdo preteksti që Serbia e ka shfrytëzuar për t’i ikur dialogut. Kosova e ka të qartë se çfarë kërkon në dialog. Mbi të gjitha Kosova në këtë proces është bashkë me SHBA dhe gjithë aleatët e tjerë. Duhet të lëvizim sa më shpejt në këtë drejtim që të jemi pjesë e BE-se e NATO-s.

Ai ka thënë se Kosova është gati, duke shtuat se do të punojnë që të jenë sa më unik e të bashkuar.

Thaçi ka thënë se uniteti i brendshme lehtëson punën e partnerëve ndërkombëtarë.

Ai ka shtuar se Kosova do të punojë në implementimin e plotë të marrëveshjeve që janë nënshkruar në fillim të vitit.

“Dëshiroj gjithashtu të potencojë se vendimet e Qeverisë u pasuan me reagimin pozitiv të SHBA-së. Menjëherë u zhbllokuan fondet e MCC-së. Bursat që u patën ndalë tani do t’i marrin përsëri. Vendimet e fundit që sollën këto të arritura, dëshmuan se nuk duhet të vonohemi, se duhet të marrim vendime të rëndësishme, por edhe dëshmuan se kauzat si demarkacioni, taksa ishin populiste dhe i humben kohë Kosovës i shkaktuan dëm institucioneve të vendit dhe imazhit tonë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se rreziku nga pandemia nuk k kaluar.

Sipas tij, rritja e numrit të të infektuarve rrezikon që ta përmbysë punën e mrekullueshme që kanë bërë mjekët.