Rukqi fton Qeverinë të përgatitet për mbrojtje nga koronavirusi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka ftuar Qeverinë dhe institucionet tjera, që pos masave në aspektin shëndetësor, të hartojnë plane e të marrin masa preventive për mbrojtje nga koronavirusi.

Ai, në një postim në Facebook, ka folur më shumë për fushën e tij, ekonominë, e cila mund të goditet në rast të shfaqjes së këtij virusi.

Ai ka dhënë edhe një shembull.

“Në rast te çfarëdo paniku në nivel lokal apo me gjerë, Kosova ka rezerva te miellit të cilat mund të zbrazen, brenda një periudhe të shkurtër kohore. Prandaj i propozoj Qeverisë dhe institucioneve tjera të rëndësisë për sigurinë kombëtare, qe krahas masave në aspektin shëndetësor, të hartojnë një sërë masash preventive dhe proaktive, për të gjithë skenarët e efekteve të Coronavirusit, përfshirë mbylljen e kufijve dhe recesionin në nivel global. Jemi të gatshëm të ndihmojmë”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Rukiqit në Facebook:

Coronavirus, pasojat në ekonomi, çfarë reagimi duhet të kemi

– Është çështje ditësh, kur pritet të ballafaqohemi me rastet e para me Coronavirus në Kosovë;

– Ekonomia botërore është në panik për një recesion të ri;

– Bursat po shënojnë rëniet me dramatike, që nga viti 2008;

– Sektorë të tërë janë të prekur nga efektet afatshkurta dhe afatgjata të Coronavirusit, përfshirë turizmin, industrinë ushqimore dhe zingjirët furnizues, sidomos nga Azia;

– Shpërthimi i virusit në Evropë ka nxitur ndërmarrje të masave drastike në shumicën e vendeve evropiane, përfshire edhe mundësitë e mbylljes të kufijve;

– Mbyllja e kufijve, duhet të na e rrit mobilizimin në shkallë maksimale, pasi që kemi varësi të madhe nga importet;

– Vetëm një shembull: Ne rast të çfarëdo paniku në nivel lokal apo me gjerë, Kosova ka rezerva të miellit të cilat mund të zbrazen, brenda një periudhe të shkurtër kohore;

– Prandaj i propozoj Qeverisë dhe institucioneve tjera të rëndësisë për sigurinë kombëtare, që krahas masave në aspektin shëndetësor, të hartojnë një sërë masash preventive dhe proaktive, për të gjithë skenarët e efekteve të Coronavirusit, përfshire, mbylljen e kufijve dhe recesionin në nivel global. Jemi të gatshëm të ndihmojmë.