Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, është takuar me Lazim Destani, një personalitet me vizion botëror dhe humanizëm të jashtëzakonshëm.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe bashkëpunuese, ku u diskutuan sfidat aktuale që po përballen Kosova dhe bota.Në qendër të bisedës ishin kriza ekonomike globale, pasojat e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, tensionet në Lindjen e Mesme, si dhe situata politike në vend, e cila sipas Shahinit po pengon zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Shahini theksoi se për të përballuar me sukses këto sfida, është i domosdoshëm një bashkëpunim i ngushtë midis sektorit privat, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile në të gjitha nivelet. Ai nënvizoi angazhimet e AKB-së në disa fusha kyçe:Forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit me institucionet qeveritare për krijimin e një klime të qëndrueshme për investime dhe zhvillim ekonomik,Promovimin e iniciativave që mbështesin bizneset vendore dhe nxisin punësimin,Organizimin e aktiviteteve edukative dhe mentorimit për gjeneratat e reja të sipërmarrësve, Lobimin për politika të qëndrueshme që zbusin efektet e krizave globale dhe vendore.
Nga ana e tij, Destani ndau përvojat dhe idetë e tij për përballimin e sfidave bashkëkohore duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, përgjegjësisë sociale dhe përfshirjes së diasporës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.Takimi u vlerësua si i frytshëm dhe shënoi një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të urave të bashkëpunimit për të përballuar sfidat dhe për të krijuar një të ardhme më të qëndrueshme.