Shefi i NATO-s: Ukraina mund ta fitojë këtë luftë

Përveç ushtrisë së zhytur në një konflikt të ashpër në lindje të Ukrainës, Rusia ka shënuar humbje edhe në aspektin diplomatik përgjatë fundjavës, pasi dy shtete evropiane kanë shprehur zëshëm synimet për anëtarësim në NATO.

Finlanda ka bërë të ditur të dielën se mëton t’i bashkohet aleancës, duke thënë se pushtimi i Rusisë në Ukrainë – rreth tre muaj më parë – ka ndryshuar situatën e sigurisë në Evropë.

Disa orë më vonë, partia qeverisëse në Suedi, ka mbështetur synimet e shtetit për anëtarësim në NATO, duke i hapur rrugën aplikimit brenda ditësh.

Këto vendime mund të peshojnë rëndë mbi presidentin rus, Vladimir Putin, i cili e ka konsideruar si të rrezikshëm zgjerimin e NATO-s, pas periudhës së Luftës së Ftohtë.

NATO-ja, në anën tjetër, deklaron se është vetëm aleancë për mbrojtje.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se lufta “nuk është duke shkuar sipas planeve të Moskës”.

“Ukraina mund ta fitojë këtë luftë”, ka thënë ai pas takimit me diplomatë të lartë në Berlin, të dielën.

Ai ka thënë po ashtu se aleanca duhet të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Kievin.

Ndërkohë, Rusia ka shkaktuar dëme, por nuk ka arritur të shënojë përparim të madh territorial në lindje të Ukrainës.

Luftëtarët rusë dhe ata ukrainas janë duke luftuar fshat pas fshati në Donbas, rajon lindor i Ukrainës.

Ushtarët ukrainas kanë luftuar me separatistët e mbështetur nga Moska për tetë vjet në këtë rajon.

Përgjatë fundjavës, forcat ruse kanë sulmuar një fabrikë të lëndëve kimike në Siverodonetsk të Donbasit, ka thënë guvernatori rajonal, Serhii Haidaii. \Rel/