Shënohen 6 raste të reja me koronavirus në Shqipëri, shkon në 76 numri i të prekurve

Shtohen rastet me Covid 19 në Shqipëri. Në përditësimin e sotëm  janë konfirmuar zyrtarisht edhe 6  të prekur të tjerë nga ky virus në Shqipëri, duke e cuar totalin e të prekurve në 76 persona nga 778  persona të testuar gjithësej.

Përditësimi i situatës së COVID-19:

Vijon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara positive.

Në 24 orët e fundit janë testuar 46 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 6 raste të reja me COVID-19:

– 5 qytetarë nga Tirana, kontakte të rasteve pozitive

– 1 qytetar nga Fieri, gjithashtu person kontakti.

Deri në këto momente testuar 778 janë raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 76 raste.

Nga totali i rasteve të konfirmuara, 59% janë meshkuj dhe 41% janë femra. Ndërsa shpërndarja gjeografike e rasteve positive, është si vijon:

• Tiranë 55 qytetarë

• Durrës 5 qytetarë

• Lushnje 2 qytetarë

• Elbasan 2 qytetarë

• Fier 8 qytetarë

• Rrogozhinë 2 qytetarë

• Kavajë 2 qytetarë

Janë shënuar deri tani dy raste humbje jete.

Ju informojmë se në spitalin Infektiv ndodhen aktualisht 37 pacientë të shtruar.

4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike.

Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Dy kontakte të pacientit zero kanë rezultuar negativ edhe pas testit konfirmues që përfundoi mbrëmjen e djeshme. Por edhe pas daljes nga spitali, pacientët e rikuperuar duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale.

Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19.

Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit, qytetarët kanë një rol thelbësor. Mënyra e vetme për ta ndërprerë këtë zinxhir është që qytetarët të vetëizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale I drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital!

Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për çdo shqetësim tjetër që ata kanë.

Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127!

Edhe një herë përsërisim apelin për qytetarët për të respektuar masat e distancimit social, të qëndrojnë në shtëpi, të ndihmojnë veten e tyre dhe të afërmit e tyre që të mos preken nga COVID-19 dhe të ndihmojnë stafet mjekësor për të përballuar këtë situatë.