Shkarkohet kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore

Bordi i Përkohshëm i Ndërmarrjes Publike Banesore, e ka shkarkuar Hajdar Hoxhën, nga pozita e kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje.

Lajmi u bë i ditur nga Leutrim Retkoceri, shefi i Grupit të Asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Retkoceri tha se deri më sot në këtë ndërmarrje ishin bërë keqpërdorime nga njërëzit e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Jo siç kanë qenë deri sot – të papërgjegjshme. Për një kohë të gjatë ndërmarrjet publike janë menaxhuar nga njerëz të Vetëvendosjes gjatë qeverisjes së VV-së në Komunë. Për më tepër, nga dëshira për të përfituar, e pastaj shkatërruar, shumica e ndërmarrjeve publike në Prishtinë janë ballafaquar me borxhe financiare e rrezikim të falimentimit të kompanive. Prandaj, në vazhdën e reformave që po bëhen nëpër ndërmarrjet e Prishtinës, pas KRM “Pastrimi” dhe “Hortikulura”, ndryshimi sot u bë edhe në menaxhmentin e ‘Ndërmarrjes Publike Banesore’ – duke u shkarkuar menaxhmenti i vjetër”, tha Retkoceri.