Shkon në 146 numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri

Është rritur sërish numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri, teksa tashmë jemi futur në javën më të vështirë të përhapjes së virusit.

Ministria e Shëndetësisë raportoi sot se gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 23 raste të reja, duke e çuar në total në 146 numrin e të infektuarve.

Ndërkohë, është zgjeruar harta e qyteteve të prekura, ku tashmë janë regjistruar raste të reja edhe në Krujë.

“Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 23 raste të reja me COVID-19 dhe janë kryer 111 testime. Deri në këto momente testuar 1041 janë raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 146 qytetarë. Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Krujë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Lezhë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit”, deklaroi zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, për situatën më të fundit të COVID-19 në Shqipëri.