Xhavit Haliti

Shkurti “vendimtar”: Ja çfarë po paralajmërojnë analistët për afatet dhe ngërçet e mundshme

Pas përmbylljes së procesit zgjedhor dhe administrimit të ankesave eventuale në të gjitha shkallët ligjore, procesi hyn në një nga fazat më vendimtare: certifikimin e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Me certifikimin e rezultateve, përcaktohet përbërja përfundimtare e Kuvendit, konfirmohen mandatet e deputetëve dhe krijohet baza ligjore për thirrjen e seancës konstituive.

Në këtë seancë zgjidhen organet drejtuese të Kuvendit, përfshirë Kryetarin dhe nënkryetarët, duke i hapur rrugë procedurave kushtetuese për formimin e Qeverisë së re.

Pas konstituimit të Kuvendit, subjekti ose koalicioni që ka siguruar shumicën parlamentare mandaton kandidatin për Kryeministër, i cili më pas paraqet përbërjen dhe programin qeverisës për votim në Kuvend.

Formimi i Qeverisë pasohet nga proceset tjera kyçe institucionale, si miratimi i buxhetit të shtetit dhe funksionalizimi i plotë i ekzekutivit.

Në fazën e mëvonshme, sipas afateve kushtetuese, vjen edhe procedura për zgjedhjen e Presidentit të vendit, proces që kërkon konsensus më të gjerë politik dhe shpesh konsiderohet një nga sfidat më të ndjeshme të ciklit institucional.

Për këtë arsye, certifikimi në kohë i rezultateve zgjedhore dhe respektimi i afateve ligjore konsiderohen thelbësore për stabilitetin politik dhe funksionimin normal të institucioneve, ndërsa çdo zvarritje mund të prodhojë pasiguri politike dhe vonesa në vendimmarrjet strategjike për vendin.

Analisti Nexhmedin Spahiu për FrontOnline ka vlerësuar se procesi i certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve pritet të përfundojë së shpejti, duke mos përjashtuar mundësinë e telasheve, por pa rrezikuar zvarritje të mëdha në këtë fazë.

Spahiu ka theksuar se, ndonëse certifikimi i zgjedhjeve nuk pritet të jetë problematik, vonesat eventuale mund të shfaqen më vonë, veçanërisht rreth procesit të zgjedhjes së Presidentit.

“Mendoj se certifikimi do të kryhet shpejt, ndonëse mund të ketë telashe. Megjithatë, besoj se së shpejti do të kemi certifikim”, ka deklaruar Spahiu për FrontOnline.

Sipas tij, sfida kryesore institucionale pritet të jetë pikërisht zgjedhja e Presidentit, e cila mund të ndikojë në zgjatjen e procesit të formimit të plotë të institucioneve.

“Lojëra rreth Presidentit mund të zgjasin. Zgjedhja e Presidentit është telashja më e madhe dhe i vetmi problem serioz që mund të paraqitet”, ka theksuar Spahiu.

Analisti politik Halil Matoshi, për FrontOnline ka vlerësuar se procesi i çertifikimit të rezultateve zgjedhore mund të përmbyllet menjëherë pas përfundimit të rinumërimit të votave, duke hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.

Sipas Matoshit, ekziston pritshmëria që Kuvendi i Kosovës të mblidhet deri më 15 shkurt, me ç’rast do të votohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe buxheti i shtetit.

“Certifikimi mund të bëhet sapo rinumërimi të përfundojë dhe besohet se deri më 15 shkurt do të mblidhet Kuvendi dhe të votohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe buxheti i shtetit. Zgjedhje të reja mund të ketë vetëm nëse këtë e do Albin Kurti. Ai i ka të gjitha zgjidhjet në dorë. Opozita tashmë është e papërfillshme dhe e dominuar nga shumica”, ka deklaruar Matoshi për FrontOnline.

Analisti politik Blerim Burjani, për FrontOnline ka vlerësuar se procesi i certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve duhet të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që vendi të mos përballet me vonesa të panevojshme në formimin e institucioneve të reja.

Burjani ka theksuar se pret që certifikimi të ndodhë në javën e dytë të shkurtit, duke e cilësuar këtë hap si parakusht për vazhdimin normal të kalendarit politik.

“Mendoj se certifikimi duhet të bëhet sa më parë. Pres që në javën e dytë të shkurtit të bëhet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve dhe më pas të shkohet me konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, miratimin e buxhetit e deri tek zgjedhja e Presidentit. Ky do të duhej të ishte kalendari politik”, ka deklaruar Burjani për FrontOnline.

Ai ka sqaruar se procesi i certifikimit zhvillohet fillimisht për partitë politike dhe më pas për kandidatët, ndërsa ka nënvizuar se konstituimi i Kuvendit duhet të ndodhë jo më vonë se java e tretë e shkurtit.

“Qeveria do të formohej shumë shpejt dhe e gjithë kjo punë do të përfundonte brenda shkurtit. Deri më 22 apo 23 shkurt do të duhej të bëhej formimi i Qeverisë. Çdo zvarritje do të ishte dëm dhe nuk dihet se çfarë ndodh më pas”, tha Burjani.