Kreu i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka deklaruar për “Front Online” se rritja e çmimeve të derivateve në nivel global tashmë po reflektohet edhe në tregun e Kosovës.
Sipas tij, pavarësisht situatës vendimi i Ministrisë duhet të respektohet nga të gjithë operatorët.
“Rritja të çmimit të derivateve është në tërë globin dhe po reflekton edhe te ne në Kosovë. Sa i përket vendimit të ministrisë, vendimi duhet të respektohet”, u shpreh Berjani.
Ai bëri të ditur se së fundmi ka zhvilluar një takim me ministren Mimoza Kusari, ku kanë kërkuar ndryshimin e udhëzimit administrativ për marzhën e fitimit.
“Unë pata një takim me Kusari-Lilën. Kërkuam që udhëzimi për marzhë fitimi të ndryshohet. Dihet se ky udhëzim është që tri vite, gjatë kësaj kohe janë zhvilluar shumë gjëra, janë rritur pagat, u shtrenjtua rryma, u shtrenjtua edhe shporta e qytetarit dhe shumë gjëra tjera. Ne kërkuam që marzha e fitimit në import nga 2 cent të bëhet 3 cent. Dhe marzha e fitimit në pikat e karburantit të bëhet nga 12 cent në 15 cent”, ka thënë Berjani.
Në fund, Berjani nënvizoi se trendi i çmimeve të derivateve mbetet në rritje.
“Sa i përket çmimit të derivateve për ditët në vijim, s’mundemi me paragjykuar se çfarë çmime do të kemi, sepse po ka lëvizje të mëdha në berz, tregjet ndërkombëtare dhe lufta në Iran. Trendi i derivateve është në rritje”, deklaroi Berjani për “Front Online”.