Shpërthimi i Drilon Fazliut në momentin që Vushtrria ia dha mundësinë

Një tjetër talent nga Vushtrria ka shpërthyer në Superligën e Kosovës në futboll, në pjesën e dytë të sezonit 2019/20.

Pas vazhdimit të kampionatit, që ishte ndërprerë shkaku i koronavirusit, si dhe pas vendimit të klubit vushtrrias që t’i largojë lojtarët e ekipit të parë dhe të paraqitet në stinorin pranveror me futbollistë të rinj, 19-vjeçari Drilon Fazliu ka shfrytëzuar rastin në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai ka shkëlqyer duke arritur të shënojë pesë gola nga shtatë sa i kishte shënuar Vushtrria në nëntë ndeshje. Sulmuesi vushtrrias në total ka shënuar shtatë gola në këtë sezon, dy prej të cilëve në stinorin vjeshtor dhe është golashënuesi më i mirë i skuadrës.

Vushtrria ka rënë nga Superliga dhe në edicionin tjetër do të bëjë gara në Ligën e Parë, por mund të krenohet me sulmuesin Fazliu, i cili me golat dhe paraqitjet që ka pasur, tashmë ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të tjera kosovare. Ai e pranon se ka shfrytëzuar hapësirën që i është dhënë në pranverë, duke e bërë atë që di ta bëjë më së miri – ta dërgojë topin në rrjetë.

Futbollisti që ka kontroll shumë të mirë të topit dhe di të depërtojë brenda zonës, ka thënë për KOHËN, se golat që i ka shënuar, kanë ardhur si rezultat i punës dhe hapësirës që i është dhënë nga trajneri Fitim Llapashtica, por nuk e harron edhe italianin Antonio Toma.