Janë gati 6.6 milionë turistë që vizituan Shqipërinë deri në korrik.
Numri i të huajve që kryesisht shkuan për pushime është zgjeruar me 4 për qind, krahasuar me janar-korrikun e vitit të shkuar, transmeton Gazeta Stop.
Pjesa më e madhe e tyre, mbi 6.2 milionë janë turistë nga vendet Europiane, ndjekur nga ata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Azia Lindore dhe Afrika.
”Këtë verë kemi pasur një rritje të ndjeshme të turistëve nga vende të ndryshme të Evropës dhe madje edhe nga Kanadaja. Krahasuar me një vit më parë, numri i prenotimeve është rritur ndjeshëm dhe sezoni po zgjatet më shumë. Turistët vlerësojnë mikpritjen shqiptare, çmimet e arsyeshme dhe bukurinë natyrore që ofron vendi ynë”, thotë për A2 CNN, Albulen Ndrepepaj, menaxher resorti.
Venla, Henli dhe Antti, janë një grup të rinjsh nga Finlanda që bëjnë pushimet në Shqipëri.
”Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jam shumë e befasuar. Plazhet janë shumë të bukura, ushqimi i shkëlqyer dhe njerëzit tepër miqësorë”, thotë Venla.