Shqiptarët preferojnë vajin e ullirit vendas, tetë herë më pak importe, rriten eksportet

Mbiprodhimi i vajit të ullirit vitin e kaluar në Shqipëri që shqetësoi fermerët duket se ka gjetur një zgjidhje me rritjen e eksportimin jashtë vendit, teksa konsumatori vendas ka preferuar prodhimin shqiptar, duke ulur ndjeshëm kërkesën e tregut tonë për markat e huaja.

Në tetë muajt e parë të vitit, sipas të dhënave, zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave importet e vajit të ullirit ranë ndjeshëm si në sasi dhe në vlerë.

Për periudhën janar-gusht 2023, importuam 22.5 ton vaj ulliri me vlerë 18 milionë lekë ose thënë ndryshe një rënie 8 herë në sasi dhe afro 6 herë në vlerë gjatë kësaj periudhe, krahasuar me një vit më parë.

Orientimi i konsumatorëve në tregun vendas por dhe nxitja e prodhuesve për eksportimin e stokut sipas Kryetarit të Këshillit të Agrobiznesit, Agim Rrapaj solli edhe këtë situatë pozitive për fermerët shqiptarë pas një viti krize.

“U ngritën 7 grupe pune në terren, u mundësua aktivizimi i panel testit që kishte vite që nuk kryhej. Njëkohësisht u bënë 300 analiza në prani të fermerëve, u bë i mundur që të hiqnim stokun e vajit ndër vite. Dhe të vajit që ishte në prodhim e sipër”, tha Agim Rrapaj, kryetar i këshillit të agrobiznesit.

Eksportet në 6 muaj të e parë shënuan një rritje të ndjeshme ku u tregtuan jashtë kufijve një sasi prej 4,100 tonë, nga mesatarisht 80 tonë të eksportuara vite më parë. Shifra të cila sipas ekspertëve janë edhe më të larta nëse përfshihet dhe transporti ilegal apo kërkesat e emigrantëve.

“Mundësitë janë deri në 10 mijë tonë në momentin e pikut të prodhimit. Ne me çmimet ekzistuese 3-4 euro kemi marrë deri në 15-20 milionë euro nga sasia e prodhimit. Nëse realizojmë objektivat me shitjen e vajit të ambalazhuar, me markë shqiptare, ne mund ta shesim 6-8 euro. Dhe shkon nga 60-80 milionë euro eksporti”.

Por përtej shifrave pozitive sipas Rrapajt, fermerët ende hasin një sërë problematikash, të cilat me krijimin e një brandi shqiptar do të merrnin zgjidhje.

“Kemi probleme me shkundjen e ullirit, kemi probleme me ruajtjen, se e ruajmë në enë plastike dhe jo inoks, gjithashtu dhe tregtimi. Po punojmë fort që të ndërtojmë depozitat e inoksit, që të ruhet sa më parë ku dhe eksportuesit të mos kenë problem me shitjen e vajit të ullirit.”

Prodhimi i ullirit arriti në 152.6 mijë ton në 2022. Ndërsa çmimi mesatar për litër i vajti të ullirit varion nga 400 -600 lekë.