Sunny Hill Festival

Si ndikon varësia ndaj internetit te truri i të rinjve?

Të rinjtë që kanë varësi ndaj internetit përjetojnë ndryshime në kiminë e trurit të tyre që mund të çojë te sjelljet që janë karakteristike për varësitë, thuhet në një hulumtim, transmeton “The Guardian”. 
Studimi, i botuar në “PLOS Mental Health”, shqyrtoi hulumtimet e mëparshme duke përdorur imazhe funksionale të rezonancës magnetike (fMRI) për të ekzaminuar se si ndërveprojnë rajonet e trurit te njerëzit me varësi nga interneti. 

Ata zbuluan se efektet ishin të dukshme në rrjetet e shumta nervore në trurin e të rinjve dhe kishte rritje të aktivitetit në pjesën e trurit kur pjesëmarrësit pushonin. 

Në të njëjtën kohë, kishte rënie të përgjithshme në lidhjen funksionale në pjesët e trurit të përfshira në mendimin aktiv, i cili është rrjeti i kontrollit të trurit përgjegjës për kujtesën dhe vendimmarrjen. 
Hulumtimi zbuloi se ndryshimet rezultuan në sjellje dhe tendenca të varësisë tek adoleshentët, si dhe kishte ndryshime të sjelljes të lidhura me shëndetin mendor, zhvillimin, aftësinë intelektuale dhe koordinimin fizik. 

Studiuesit shqyrtuan 12 studime të mëparshme që përfshinë 237 persona të moshave nga 10 deri 19 vjeç me një diagnozë formale të varësisë nga interneti. Studimet ishin kryer mes viteve 2013 dhe 2023. 
Pothuajse gjysma e adoleshentëve britanikë kanë thënë se ndihen të varur nga rrjetet sociale, sipas një sondazhi të bërë këtë vit. 

“Gjetjet nga studimi ynë tregojnë se varësia nga interneti mund të çojë në sjellje negative dhe ndryshime të zhvillimit që mund të ndikojnë në jetën e adoleshentëve. Shembull ata mund të kenë vështirësi të mbajnë lidhjet dhe aktivitetet shoqërore, të gënjejnë për aktivitetin e tyre online dhe të kenë probleme me gjumin dhe të ushqyerit”, ka thënë Max Chang, autori kryesor i studimit që është pjesë e “UCL Great Ormond Street Institute of Child Health”. 

Chang tha se shpreson që zbulimet të demonstrojnë se si “varësia nga interneti ndryshon lidhjen mes rrjeteve nervore në adoleshencë”, që do të mund të lejojë që shenjat e hershme të varësisë nga interneti të trajtohen në mënyrë efikase. 

“Mjekët mund të përshkruajnë ndonjë trajtim për të synuar pjesët e caktuara të trurit ose të sugjerojnë psikoterapi ose terapi familjare që synon simptomat kryesore të varësisë nga interneti. E rëndësishme, edukimi i prindërve për varësi nga interneti është një tjetër rrugë e mundshme e parandalimit nga pikëpamja e shëndetit publik”, tha Chang. 

Irene Lee, një autore në këtë hulumtim, tha se “s’ka dyshim që interneti ka avantazhe, porse kur fillon të ndikojë në jetën e përditshme është problem”. 

“Ne do të këshillojmë të rinjtë të zbatojnë kufizime të arsyeshme kohore për përdorimin e tyre të përditshëm të internetit dhe të jenë të vetëdijshëm për implikimet psikologjike dhe sociale të kalimit të tepërt të kohës në internet’.