Smakiqi: 12 punëtorë të Postës së Kosovës kanë rezultuar pozitiv me COVID-19

Shefi i Shtabit Emergjent në PTK, Xhevdet Smakiqi ka thënë se 12 punëtorë të Postës së Kosovës janë prekur nga coronavirusi.

Smakiqi në RTV Dukagjini ka thënë se gjendja shëndetësore e punëtorëve është e mirë dhe nuk ka nevojë për shqetësim, përcjell Telegrafi.

“Konsumatorët dhe punëtorët në pika të shitjes janë të sigurt dhe nuk ka nevojë për shqetësim. Fatkeqësisht rasti i parë na është paraqitur në zyrat qendrore në Dardani me 5 qershor. Nga ai moment kemi kontaktuar IKSHPK-në dhe deri më tani 12 punëtorë të Postës janë prekur nga COVID-19”.

Shefi i Shtabit Emergjent në PTK thotë se për fat të mirë sonte nuk është paraqitur ndonjë rast i ri me coronavirus dhe thotë se shpresojnë që brenda dy-tri ditësh të mbyllet cikli i këtyre infektimeve.

Smakiqi thotë se personat që janë në pritje të rezultateve në bazë të udhëzimeve të IKSHPK-së janë të vetizoluar deri në dalje të rezultateve.