Sot dalin para Gjykatës 11 të dyshuarit për keqpërdorim të subvencioneve

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar masën e paraburgimit për 11 personat e arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti.

Seanca pritet të mbahet sot kurse gjyqtari, i cili do të vendosë për masën e paraburgimit është Naser Foniqi.

Rreth 433 mijë e 160 euro janë konfiskuar, 600 dollarë, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë janë konfiskuar gjatë bastisjeve që kanë ndodhur ditën e djeshme nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Dhjetë nga të arrestuarit gjatë ditës së djeshme janë edhe zyrtarë institucionalë të cilët u arrestuan në disa lokacione të ndryshme.

Gjatë aksionit “Subvencioni 2021”, janë arrestuar 12 zyrtarë nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe marrje/dhënie ryshfeti”. Njëri u lirua.

Përveç kryeshefit në detyrë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agim Nuhës, në këtë aksion u arrestuan edhe Hasan Maxharraj – Përgjegjës për Zhvillim të BPH-së, Drejtoria e BPH-së, Kushtrim Zogaj – Zyrtar për Shërbime Këshillimore – Komuna Istog, Agim Nuha – Shef i njësisë DZHRSHK, Sadat Shkodra – Zyrtar i lartë shpenzues/ Drejtoria për Buxhet dhe Financa, Luan Statovci – Drejtor i Drejtorisë për pagesa direkte/ Agjencioni për Zhvillimin e Bujqësisë, Berat Nika – DP/MPBPZHR, 8. Pajtim Krasniqi – Zyrtar për monitorim dhe mbrojtje/ MBPZHR, Adushe Ukshini – Zyrtare e kontrollit ne teren Gjilan/ MBPZHR-AZHB, Kastriote Bajrami – Zyrtare e personelit/ MBPZHR. Përveç tyre gjatë këtij aksioni janë arrestuar edhe Driton Alaj dhe Shpejtim Krasniqi.