Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot për të tetën herë. Pas betimit të deputetëve, procesi ka stagnuar në zgjedhjen e kryeparlamentarit.
E propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu nuk po merr votat e mjaftueshme për të udhëhequr me Kuvendin. Deri tani LVV ka siguruar 57 vota pro Haxhiut, vota këto të pamjaftueshme.
Derisa LVV nuk heq dorë nga kandidatura e Haxhiut për kryeparlamentare, nga partitë opozitare thonë se nuk do ta votojnë Haxhiun pasi nuk është person unifikues.
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, theksoi se subjekti i tij ka përmbushur obligimin kushtetues duke propozuar kandidaten dhe duke votuar për të. Ai insistoi se bllokada nuk bëhet duke votuar pro dhe se VV nuk mban përgjegjësi për mungesën e votave të tjera.
Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për “teke” dhe këmbëngulje arbitrare, duke theksuar se pa shumicë parlamentare nuk mund të imponohet vullneti politik. Ai kërkoi nga LVV që të propozojë një kandidat tjetër që do të siguronte besimin e deputetëve.
Albulena Haxhiu, në një intervistë për Telegrafin tha se nga 15 prilli Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet, fillimisht për shkak të refuzimit të opozitës për të votuar verifikimin e mandateve të deputetëve, dhe tani për shkak të refuzimit të emrit të saj për kryetare.
“Nuk jam shumë optimiste që situata do të ndryshojë në seancën e së martës pasi qëndrimet e subjekteve opozitare janë bërë të qarta publikisht. Për bindjen time, mungon vullneti për të konstituar Kuvendin dhe për të kaluar më tej në procedurat për zgjedhjen e Qeverisë”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo shtoi se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit u takon të gjitha subjekteve politike dhe jo vetëm mazhorancës apo Vetëvendosjes.
E pyetur rreth asaj se as Lëvizja Vetëvendosje kurrë nuk ka votuar asnjë kandidat për kryeparlamentar, Haxhiu tha se nuk kanë pasur nevojë për votat e LVV-së sepse partitë atëherë kanë pasur koalicion.
Haxhiu, ka deklaruar se LVV është e gatshme të zhvillojë konsultime me partitë e tjera politike për të gjetur një rrugëdalje nga situata e bllokuar në Kuvend.
“Ne jemi shumë të gatshëm që të takohemi me partitë politike”, tha Haxhiu, duke kujtuar përpjekjet e mëparshme të ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për të ftuar partitë në konsultime, si dhe ftesën e kryeministrit Albin Kurti drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.