Sunny Hill Festival

Sot tentimi i 46 për konstituimin e Kuvendit

Sot me fillim nga ora 11:00 do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Për herën e 46-të, deputetët e zgjedhur mblidhen për ta konstituar përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.

Në seancën e kaluar kryesuesi i seancës, Avni Dehari, sërish e kishte hedhur në votim formimin e Komisionit për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, por në votim s’morën pjesë partitë që ishin në opozitë legjislaturën e kaluar.

Në sallë ishin të pranishëm 93 deputetë ku 49 votuan për, asnjë kundër, asnjë abstenim.

Ashtu si edhe në disa seanca paraprake, disa deputetë të LDK-së, PDK-së, e AAK-së kishin vazhduar të qëndrojnë në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Ata arritën që të ndezin mikrofonat brenda sallës së seancës së Kuvendit, meqë kryesuesi i seancës, Avni Dehari, s’lejon debat në Kuvend.

Kujtojmë, Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ua kufizon kohën deputetëve për ta përmbyllur procesin e konstituimit deri më 26 korrik.