Speci i kuq i bluar nga Podujeva del me pesticid të rrezikshëm, asgjësohet në Finlandë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se një ngarkesë me “spec të kuq të bluar” me origjinë nga Kosova është ndaluar në kufirin me Finlandë, pasi analizat laboratorike kanë rezultuar pozitive me prezencë të pesticidit “Carbofuran”, mbi kufijtë e lejuar.

Sipas njoftimit të AUV-së, rasti është evidentuar përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ndërsa e gjithë sasia e produktit është asgjësuar nga autoritetet kompetente. Rasti mban numrin 2026.4462.

Produktet e identifikuara janë të brendit “Besiana”, të prodhuara nga kompania “Ananas Impex SH.P.K.” nga Livadica e Podujevës. Produkti ishte i paketuar në 200 gramë dhe kishte datë skadimi 08.12.2026.

“AUV, menjëherë pas pranimit të njoftimit përmes sistemit RASFF, ka nisur kontrollet zyrtare në terren dhe ka urdhëruar masa shtesë preventive në të gjitha Pikat e Kontrollit Kufitar”, thuhet në njoftim.

Tutje, AUV bëri të ditur se do të rriten kontrollet edhe ndaj lëndës së parë që përdoret për prodhimin dhe përpunimin e produkteve të specit, me qëllim identifikimin e burimit të mundshëm të kontaminimit dhe parandalimin e daljes në treg të produkteve me përmbajtje të lartë të pesticideve apo mykotoksinave.

Inspektimet, sipas AUV-së, do të vazhdojnë edhe tek prodhuesi për verifikimin e loteve të prodhimit dhe për gjurmim të plotë të produktit.

Agjencia u ka bërë thirrje konsumatorëve që nëse posedojnë produktin me të dhënat e publikuara, ta kthejnë menjëherë në pikën e blerjes.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes AUV-së, ka theksuar se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.