Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq u dënuan me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërkaq Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim.
Në shpalljen e aktgjykimit për sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, kur u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i pranishëm ishte vetëm Dushan Maksimoviq.
Gjykatësi Ngadhnjim Arrni tha se të tre janë fajtorë dhe duke lexuar vendimin e gjykatës, ai tha se qëllimi i grupit të armatosur në Banjskë, ishte destabilizimi i strukturave themelore të Kosovës.
“Përmes planit të mirëorganizuar, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe këtë pjesë t’ia bashkojë Serbisë”, tha ai.
Pas shpalljes së aktgjykimit, prokurori special, Naim Abazi, tha se vendimi është i mangët, pasi në të nuk është përfshirë edhe pjesa tjetër e të akuzuarve, përfshirë edhe Millan Radoiçiq, por shtoi se Prokuroria po bën të gjitha përpjekjet që ata të sillen para drejtësisë.
Duke e vlerësuar si rastin më kompleks në Kosovë, Abazi tha se vendimi i sotëm është mesazh për këdo që tenton të kryejë vepra të tilla se do të përballen “me dënim të merituar”.
Ai u pyet se si synon Prokuroria Speciale të sjellë para drejtësisë të akuzuarin kryesor, Millan Radoiçiq, dhe Abazi tha se do të shfrytëzohen mekanizmat ndërkombëtarë, sikurse INTERPOL-i.
“Serbia sigurisht do të bashkëpunojë sepse drejtësia nuk ka të bëjë fare, në këtë rast, me politikën. Nuk ka kompromis me drejtësinë”, tha Abazi për mediat pas shpalljes së aktgjykimit.
Sa i përket vendimit për Maksimoviqin, Abazi tha se do të vlerësohet aktgjykimi dhe do të paraqitet ankesë.
Aktgjykimi është mirëpritur nga udhëheqës institucionalë në Kosovë.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, mirëpriti aktgjykimin dënues ndaj tre të akuzuarve për rastin Banjska.
“Ky vendim është dëshmi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës, ndaj rendit kushtetues dhe ndaj sigurisë së vendit tonë nuk do të mbetet pa ndëshkim”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Megjithatë, ajo tha se drejtësia për sulmin në Banjskë do të përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i gjykatës do të duhej të ishte “dënim maksimal për të gjithë të përfshirët”.
Megjithatë, ai tha se vendimi i Gjykatës Themelore është mesazh i qartë se “kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj, do të përballet me drejtësinë”.
“Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiqin”, shkroi Sveçla në rrjetet sociale.