“Ta mbyllin mirë qytetarët muajin, me mirëqenie”: Hamza garon me kartë ekonomike, zotohet në rritje pagash

Bedri Hamza – një figurë e perceptuar si i shquar në çështje ekonomike – veçse ka artikuluar zotimin e parë zgjedhor në terma më të thjeshtë. E ky zotim, korrespodon më së shumti me CV-në e tij profesionale-politike: rritjen e pagave.

Në intervistë në Debat Plus, e dyta që nga zyrtarizimi i kandidaturës së tij për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hamza i qëndroi lëmisë së tij si lajtmotiv të vetë kësaj kandidature.

“Për shkak të inflacionit shumë vështirë që njerëzit të mbyllin muajin”.

Hamza “garantoi” se me eventualitetin e ardhjes së tij në krye të shtetit “do t’ua rrisë pagat” një numri punonjësish të sektorëve jetikë në vend: mjekëve, mësusesve, arsimatrëve, ushtarëve, policëve, zjarrëfikësve dhe shërbyesve civilë.

Për atë se ku do t’i merr paratë, Hamza tha se aty është “specializimi im”.

“Unë po ju siguroj dhe garantoj, dhe këtë e dinë edhe mjekët, edhe arsimtarët, edhe mësuesit, edhe profesorët, edhe ushtarët, edhe policët, edhe zjarrëfikësit, edhe shërbyesit civilë që do t’jua rrisë pagat sepse kanë nevojë që në fund të muajit të kenë mundësi ta kenë mirëqënien për vete dhe familjet e tyre”.

Duke i qëndruar linjës së pagave të ulëta në vend, mos rritjes së tyre, dhe trendim të rritjes së pagave hiç më larg se te fqinjtë e Kosovës, Hamza dha një lexim të drejtimit që po i qëndron qeveria kosovare.

“Në 2014 paga mesatare ka qenë 403 euro. I kam të dhënat deri më 2022, është 521 euro. Rasti i Kosovës, 29% rritje, Shqipëria në 2014, e ka pasë pagën mesatare më të vogël 325 euro, sot e ka 678 euro. Në Kosovë 29%, në Shqipëri sot më shumë se 100%. Maqedonia, në vitin 2014, 511 euro paga mesatare, sot 894, rritje për më shumë se 70%”, tha ai.

Për shkak të inflacionit enorm në vend, për Hamzën, e vërteta është se krahasuar sot me katër vjet më parë njerëzit jetojnë më rëndë nga aspekti i mirëqenies së tyre ekonomike.

“Nëse në 2019, 2018 ke ble një shportë me mallra me 100 euro, sot nevojiten më shumë se 150 euro. Në kumulativ, norma e inflacionit, viteve të fundit, është diku, vetëm për një vit ka qenë 11.6 për vitin 2022, vetëm për një vit”, tha ai.

Nëse e marrim në kumulativ, del 23.5%. Nëse e marrim shportën e konsumatorit, të shumicës qytetarëve, sepse në mesatare hyn këto të lluksit, po e marrim vetëm ushqimin, del 36.3, nëse i marrim vetëm produktet bazike, sigurisht më shumë. Kjo e ka varfëru qytetarin, sot nuk po emigrojnë vetëm ata që s’kanë punë, por edhe ata që kanë punë”, tha Bedri Hamza.

Kreu i PDK-së ‘bastin’ te Hamza

“Njeriu më i duhur në kontekstin dhe kohën e sotme”, tha Memli Krasniqi ditë më parë duke folur për Hamzën si prijës i listës zgjedhore, dhe atë duke numëruar, sipas tij, se pse është kështu.

Jam i bindur që Bedriu është i duhuri dhe më i përgatitur për sfidat që përballemi. Kur mbledhemi me familjen tona, jam i bindur që asnjë familje në Kosovë nuk flet as për draft-Statutin, as për frankogjhermanet, neni 6-7, as për largimin e kryetarëve në veri apo jo”, tha ai.

“Kjo është e vërteta. Flasin për largimin e familjarëve nga vendil. Për faturat e çmendurave të energjisë. Flasin se si e kanë të vështirë për lidhjen e muajit me muaj. Flasin se si kur t’ju smuhet dikush duhet me marrë para borxh për barna që ato nuk ekzistojnë në shërbimin publik”.

Këto janë sfida që kërkojnë zgjidhje. E këto i zgjidh dikush që ka përvojën dhe është i dëshmuar dhe që e ka dhënë provën se në situata të tilla me këtë ekonomi, ka arritur sukseset më të madha ndonjëherë”, shtoi mes tjerash Memli Krasniqi.