Takimi i thirrur nga presidentja Osmani, PDK, LDK e AAK konfirmojnë pjesëmarrjen

Të dielën, më 26 tetor Qeveria Kurti nuk mori votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës. Pas dështimit për formimin e Qeverisë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka ftuar partitë politike parlamentare në një takim të premten, në ora 12:00.

Lajmin për takimin e së premtes e ka konfirmuar për Telegrafin këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili tha se takimi është ftuar nga presidentja Osmani dhe do të zhvillohet me përfaqësuesit e partive politike që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

E pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku konfirmoi për Telegrafin se kryetari Memli Krasniqi do të jetë i pranishëm në takim.

“Po e kemi marrë ftesën dhe kryetari Memli Krasniqi do të merr pjesë”, tha Çitaku.

Edhe zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa konfirmoi pjesëmarrjen e LDK-së në takim.

“Po, kryetari do të jetë në takimin e thirrur nga presidentja”, tha Mustafa për Telegrafin.

Edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të jetë në takimin e presidentes Osmani.

Këtë e konfirmoi për Telegrafin, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.

“Po kryetari Haradinaj do të jetë i pranishëm në takimin e thirrur nga Presidentja”, tha Xhemaili.