Gjykata Speciale dhe Mbretëria e Belgjikës kanë nënshkruar zyrtarisht Marrëveshjen për Zbatimin e Dënimeve, e cila mundëson që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) ta vuajnë dënimin me burgim në Belgjikë, në përputhje me kushtet e përcaktuara nga DHSK dhe me miratimin e autoriteteve belge.
Sipas njoftimit të Speciales, marrëveshja u nënshkrua në Bruksel nga Administratorja e DHSK-së, Fidelma Donlon, dhe Zherar Div, shef i Autoritetit Qendror për Bashkëpunim me Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Ministrinë e Drejtësisë së Belgjikës.
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e quajti këtë marrëveshje një hap të rëndësishëm për funksionimin e drejtësisë penale ndërkombëtare. “Zbatimi i dënimit është thelbësor për një sistem gjithëpërfshirës dhe efektiv të drejtësisë penale ndërkombëtare,” tha ajo, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj DHSK-së.
Ajo shtoi se me këtë marrëveshje, Belgjika riafirmon përkushtimin e saj të fuqishëm ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe ndihmon në realizimin e mandatit të Gjykatës Speciale.