Të shtëna me armë zjarri në “Mati 1”

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar të enjten në lagjen Mati 1 në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka shtënë në drejtim të një personi tjetër.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 në rrugën “Prekazi”.

Policia ka bërë të ditur se pas të shtënave, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja, ndërsa nga i dyshuari, mashkull kosovar, është konfiskuar një armë zjarri, përkatësisht një pistoletë.

“Pas disa të shtënave me armë zjarri, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja, ndërsa nga i dyshuar mashkull kosovar është konfiskuar arma/pistoletë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë, viktima, mashkull kosovar, ka pësuar lëndime trupore si pasojë e një përleshjeje fizike me të dyshuarin.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Rasti është duke u hetuar nga autoritetet kompetente.