Tentimi i 13-të

Sot deputetët do të bëjnë edhe një përpjekje për konstituim të Kuvendit të Kosovës. 

Ata pritet të mblidhen në sallën plenare në orën 10, në tentimin e 13-të radhazi për të zgjedhur kryesinë e Kuvendit. 

Të mërkurën për të 12-tën herë deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin. 

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe që nga atëherë kanë kaluar vetëm dy pika të rendit të ditës.

Ngërçi është krijuar te pika e tretë, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. 

Edhe në seancën e së mërkurën, sikurse në tri të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar që të ndërrojë formën e votimit, nga e hapur në të fshehtë, por në mungesë të votave nuk ka arritur të formohet komisioni që duhet të mbikëqyrte këtë proces. 

Deputetë të PDK-së, të LDK-së, të AAK-së, Nismës Socialdemokrate dhe të Listës Serbe nuk morën pjesë në votimin për formimin e Komisionit zgjedhor, i cili do ta mbikëqyrte procesin e votimit të fshehtë për kryetar të Kuvendit. E pas ndërprerjes së punimeve, përfaqësues të të dy taborëve politikë akuzuan njëri-tjetrin për ngërçin.

Në katër vazhdimet e fundit të seancës konstituive të Kuvendit, propozimi i LVV-së për Albulena Haxhiun kryeparlamentare nuk është nxjerrë në votim, pasi kryesuesi, Avni Dehari, i ka ndërprerë punimet menjëherë pas dështimit që të formohet komisioni për zhvillimin e votimit të fshehtë.