Sot, bëhet përpjekja e 44‑të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por sipas zhvillimeve të deritanishme, nuk pritet ndonjë ndryshim thelbësor në raport me seancat e mëparshme.
Prej seancës së parë të mbajtur më 15 prill, Kuvendi deri më sot ka dështuar 43 herë radhazi të zgjedhë kryetarin e tij dhe të formojë strukturat drejtuese.
Dështimet e seancave kanë ardhur si pasojë e mospajtimeve ndërmjet partive politike.
Në thelb të bllokadës qëndron mungesa e një marrëveshjeje për krijimin e komisionit i cili do të duhej të organizonte votimin për kryetarin e Kuvendit.
Partitë PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK e Nisma vazhdojnë të mos propozojnë anëtarë për këtë komision, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje insiston në kandidaturën e propozuar për kryetare të Kuvendit,
Albulena Haxhiun dhe mënyrën e votimit të fshehtë.
Skenari i sotëm pritet të jetë i ngjashëm me tentativat e mëparshme, ku mungesa e kuorumit apo e vullnetit për kompromis do ta bëjë të pamundur mbajtjen e votimit.
Kjo situatë po shkakton vakum institucional, duke ndikuar jo vetëm në punën e Kuvendit, por edhe në funksionimin e përgjithshëm të institucioneve të vendit.