Termokosi mund të nisë sezonin më herët, tarifimi edhe sivjet me metër katror

  • Kryeshefi Termokosit, Fisnik Osmani, nuk ka përjashtuar lëshimin e ngrohjes në Prishtinë edhe më herët se që është e paraparë me ligj.

Osmani në një intervistë në emisionin “038”, të hënën mbrëma në KTV, tha se ngrohja ka mundësi të lëshohet para 15 tetorit.

“Në bazë të ligjit, ngrohtorja fillon sezonin më 15 tetor, mirëpo në konsultim me kryetarin dhe nënkryetarët e komunës, po i shohim mundësitë të nisim më herët. Po e përcjellim me kujdes pjesën e temperaturave, i kemi bërë të gjitha përgatitjet që varen nga Termokosi dhe jemi të gatshëm të fillojmë”, ka thënë Osmani.

Ai ka shpjeguar se edhe këtë sezon, ngrohja do të tarifohet me metër katrorë e jo sa shpenzohet.

Ka muaj që ka nisur një projekt për montimin e njehsorëve në radiatorë, për të regjistruar shpenzimin e ngrohjes, mirëpo Osmani tha se projekti është ende në fazën fillestare.

“Edhe këtë sezon do të tarifohet ngrohja me metër katrorë, 0.76 euro për sektorin banesor dhe 0.93 euro për sektorin afarist, Projekti i njehsorëve është në fazë e parë”, tha ai.

Ai foli edhe për projektet që po bën Termokosi për zgjerim dhe rehabilitim të rrjetit dhe stacioneve.

Tregoi se së shpejti do të kyçen në ngrohjen e qytetit edhe QMF 11 në Lagjen e Muhaxherëve dhe shkolla “Pavarësia” në Mati 1.

“Është çudi se si QMF 11 ishte vetëm 30 metra larg rrjetit të ngrohtores dhe nuk ishte e kyçur. Jemi duke punuar për këtë, janë edhe disa punë teknike”, tha ai.

Ngrohja për soliterët në Ulpianë nuk fillon më 15 tetor

Fisnik Osmani, kryeshef i Termokosit, ka thënë se për shkak të punimeve në fasadimin e soliterëve në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, ngrohja në këto objekte nuk do të lëshohet më 15 tetor.

“Për shkak të projektit Prishtina HeatSave, por edhe për shkak të projektit të fasadimit të soliterëve në Ulpianë, ngrohja nuk do të fillojë kurdo që fillon më 15 apo para 15 tetorit, për pesë soliterët e Ulpianës. Do të vonohet. Shpresoj të kyçen sa më shpejt”, ka thënë Osmani në emisionin “038” në KTV.