Thaçi: S’do të ketë diskutime për shkëmbimin e territoreve

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se ftesa e SHBA-së për takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë është hap përpara për Kosovën.

Thaçi theksoi se në këtë marrëveshje, nuk do të ketë shkëmbim të territorit dhe nuk do të cënohet sovraniteti i vendit.

“E them në mënyrë të hapur, se në asnjë rrethanë nuk pretendohet nga askush, as në Uashington të cënojë integritetin territorial të vendit. Ftoj të gjithë, që të mos përhapim dezinformata për shkëmbim të territoreve. S’ do të ketë as diskutim për integritetin e shtetit të Kosovës”.

“Kosova shkon si shtet i pavarur dhe sovran dhe si një vend unik me një politikë shumë të qartë”, është shprehur Thaçi në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Ndryshe Emisari i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka marrë konfirmimin nga qeveritë në Prishtinë dhe Beograd se do t’i përgjigjen ftesës për një takim në Uashington më 27 qershor.