Ndërmarrja publike komunale “Trafiku Urban” ka bërë të ditur se nga sot rifillojnë punën, saktësisht ofrimin e shërbimit të transportit publik.
Vendimi është marrë pas fillimit të alokimit të mjeteve nga Ministria e Financave, që i ka mundësuar Komunës së Prishtinës të kryejë pagesat ndaj ndërmarrjes.
Në njoftimin e kësaj ndërmarrjeje thuhet se pas fillimit të alokimit të mjeteve nga Ministria e Financave dhe pagesës së faturave nga Komuna e Prishtinës, N.P.K. “Trafiku Urban” SHA ju njofton se nga 3 dhjetori 2025 do të rifillojë ofrimin e shërbimit të transportit publik.
“Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë me të cilat qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe i falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, thuhet në njoftim.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se janë alokuar mjetet financiare në vlerë prej 2.7 milionë eurosh për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, fond që i dedikohet pagesës së operatorëve të transportit publik në Prishtinë.
Ndryshe, për 9 ditë në kryeqytet nuk ka pasur transport publik, duke krijuar kështu vështirësi për qytetarët për të qarkulluar në qytet dhe përreth.