Deputeti Haxhi Avdyli ka dhënë dorëheqje nga Partia Guxo, ndërsa lajmi është bërë i ditur nga vet ai, në rrjetet sociale.
Përmes një reagimi zyrtar, kryesia e Partisë Guxo ka konfirmuar se e ka pranuar dorëheqjen e Avdylit, duke theksuar se kjo është një zgjedhje e tij e vullnetshme dhe e pakontestueshme.
“Nga media dhe nga rrjetet sociale kemi kuptuar se deputeti Haxhi Avdyli ka dhënë sot dorëheqje nga Partia Guxo. Kryesia e Partisë Guxo e pranon këtë dorëheqje dhe e sheh si të drejtën dhe zgjedhjen e tij të vullnetshme dhe të pakontestueshme”, thuhet në reagim.
Në të njëjtën kohë, partia ka falënderuar deputetin Avdyli për rrugëtimin e deritanishëm dhe kontributin e dhënë në kuadër të angazhimit të tij politik.
“Në emër të anëtarësisë dhe përkrahësve, Partia Guxo e falënderon deputetin Avdyli për rrugëtimin e përbashkët deri më tani, si dhe për kontributin që ka dhënë për Partinë Guxo”, thuhet më tej në reagim, shkruan Gazeta Stop.
Nga kryesia e partisë i kanë uruar Avdylit shëndet dhe suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale.
Në fund të reagimit, Partia Guxo ka reaguar edhe ndaj disa pretendimeve lidhur me motivet e dorëheqjes, duke theksuar se askush nga kjo parti nuk është përfshirë në debate të ulëta apo linçime publike ndaj askujt, e aq më pak ndaj Vjosa Osmani, presidente e Republikës së Kosovës.
“Partia Guxo angazhohet për respektimin e rendit, ligjit dhe kushtetueshmërisë në të gjitha zhvillimet në vend, duke përfshirë edhe zhvillimet e fundit”, thuhet në reagim.