Sunny Hill Festival

Tre skenarët që të ketë zgjedhje parlamentare bashkë me ato lokale

Lëvizja Vetëvendosje ka përmendur mundësinë që bashkë me zgjedhjet lokale, të caktuara për 12 tetor, të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Ideja u përmend pas dështimeve të njëpasnjëshme të konstituimit të legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Por për t’u bërë kjo, Kuvendi patjetër duhet të konstituohet. E sipas Eugen Cakollit, përfaqësues i organizatave monitoruese të zgjedhjeve, Demokracia në Veprim, ekzistojnë tri rrugë kushtetuese që të përmbushet propozimi i VV-së.

Skenari i parë është ai i shpërndarjes së Kuvendit, pas konstituimit. Pas shpërndarjes, presidentja për 10 ditë duhet ta caktojë datën e zgjedhjeve – 30-45 ditë pas shpalljes së datës. Për ta arritur 12 tetorin në këtë opsion duhet që shpërndarja të mos ndodhë më vonë se 2 shtatori e zgjedhjet duhet të shpallen më së largu më 12 shtator. Deri atëherë mund të ketë edhe deri në 42 seanca të dështuara (çdo 48 orë).

Në skenarin e dytë është dështimi për ta zgjedhur qeverinë brenda 60 ditësh pas konstituimit. Në këtë rast mandatimi i kandidatit për kryeministër duhet të ndodhë më së voni më 4 korrik dhe pas kësaj date për 60 ditë të mos ketë formim të Qeverisë. Që të zbatohet ky skenar dhe që të ketë zgjedhje parlamentare më 12 tetor, do të mund të dështonin edhe 12 seanca të tjera.

Në opsionin e tretë, është dështimi i dyfishtë për ta zgjedhur Qeverinë. Në këtë rast, pas konstituimit mandatari i parë i ka 15 ditë për ta siguruar shumicën. Nëse dështon, presidentja ka një 10-ditësh tjetër për ta manduar dikë tjetër. Edhe i dyti i ka 15 ditë kohë për ta marrë miratimin. Nëse dështon, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditësh. Në këtë skenar zgjedhjet duhet të shpallen më së voni më 2 shtator e deri në konstituim mund të ketë edhe 21 seanca të dështuara.

Kuvendi i Kosovës të mërkurën e mban seancën e 30-të në përpjekje për t’u konstituuar. Ngërçi është shkaktuar te zgjedhja e kryeparlamentarit si pikë e tretë e seancës konstituive. Fillimisht Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, propozoi Albulena Haxhiun për këtë post ndërsa tash e 20 seanca po dështon formimi i komisionit për votim të fshehtë.

Në takimin e presidentes Vjosa Osmani me përfaqësues të partive javën e shkuar për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale, Albulena Haxhiu e VV-së ka treguar se ka përmendur edhe opsionin që në të njëjtën ditë të ketë edhe zgjedhje parlamentare.

May be an image of text that says 'RRUGỄT KUSHTETUESE DREJT ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE ME ATO LOKALE OPSIONI 1 2 OPSIONI 3 Afati për konstituim/ shpërndarje të Kuvendit 18 gusht- 2shtator Me se voni Te 4 korrik Me sẽ voni deri më 23 korrik Afati për shpalljene zgjedhjeve 28 gusht- 12 shtator Me sẽ voni Te 12 shtator Me sẽ voni më 2 2shtator Seanca të dështuara Deri në 42 seanca Derinë 12 seanca Deri ne 21 seanca'