Trump uron Osmanin për 18-vjetorin e Pavarësisë: SHBA rikonfirmon mbështetjen për sovranitetin e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, Presidenti Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Ai ka theksuar gjithashtu gatishmërinë e SHBA-ve për zgjerimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve, me synim avancimin e prosperitetit të përbashkët. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah Kosovës për avancimin e paqes dhe stabilitetit në dobi të ndërsjellë.

Presidenti Trump ka shprehur falënderim ndaj Presidentes Osmani dhe popullit të Kosovës për mbështetjen e përpjekjeve amerikane për paqe, si dhe ka mirëpritur Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, që synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë.

Në fund të mesazhit, ai ka shprehur besimin në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet dy shteteve.