Tyson barazon me Roy Jonesin në meçin ekzibicional të legjendave

Mike Tyson ka dëshmuar se mosha nuk ia ka “vjedhur” fuqinë, ndërsa ish-kampioni i botës në peshën e rëndë në boks, ka bërë rikthimin e tij të shumëpritur në ring. Ai ka dominuar në një përballje ekzibicionale boksi të shtunën mbrëma në Los Angeles ndaj legjendës Roy Jones Jr., por që befasisht nga gjyqtarët e vlerësuan me barazim, shkruan agjencia Reuters.

Derisa nuk kishte gjyqtarë profesional të poentimit në meçin në tetë raunde nga dy minuta, mes dy boksierëve tash në të 50-tat, Këshilli Botëror i Boksit (WBC) ka zgjedhur për gjyqtarë poentomi tre ish-kampionë bote.

“Unë jam mësuar të boksojë nga tri minuta për raund. Nganjëherë, dy minuta më dukeshin si tri. Jam i lumtur që e kam përfunduar këtë meç dhe të shkojë tutje”, ka thënë Tyson 54-vjeçar, për raundet më të shkurtëra.

Tyson, që së fundi ishte ngjitur në ring 15 vjet më parë ku pësoi në meçin e fundit profesionist nga irlandezi Kevin McBride, është hedhur në sulm nga fillimi dhe ishte në kontroll të meçit.

Jones Jr. 51-vjeçar, dukshëm dukej më i lodhur, por arriti të rrisë tempon në raundet e mëvonshme, që mjaftoi për të fituar në vlerësimin e një gjyqtari. Një tjetër i dha fitoren Tysonit, ndërsa njëri e vlerësoi meçin baras.

Kur u dëgjua gongu për fundin e meçit, dy legjendat e boksit e përqafuan njëri-tjetrin.

“Goditjet në trup definitivisht e bënë të veten”, ka thënë Jones Jr., për goditjet e shumta që mori nga Tysoni.

Jones Jr. gjatë karrierës ka fituar tituj bote në katër kategori të ndryshme, ndërsa meçin e fundit profesionist e zhvilloi dy vjet më parë.

“Goditjet në trup janë ato që të lodhin”, ka thënë Jones Jr.

Pas meçit Tysoni, që dikur ishte një prej boksierëve më të frikshëm në planet, ka hedhur poshtë idenë të kthehet në boks profesionist.

“Kjo është më e madhe sesa luftimi dhe fitimi i titujve”, ka thënë Tyson, për meçet ekzibicionale ku i dhuron fitimet për bamirësi. “Ne jemi humanitarë dhe po i ndihmojmë njerëzit”.