Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e promovimit të projektit për “Modernizimin e plotë të rrjetit VALA”.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se Telekomi është tashmë një ndërmarrje e rimëkëmbur, me stabilitetit financiar e operativ, që po modernizon në tërësi rrjetin mobil me 5G e 4G+ në tërë Kosovën, duke dhënë shembull të mirë për vendin dhe për rajonin.
“Telekomi vendosi disiplinën, ristrukturoi radhët e veta, riktheu fitimin dhe e nisi projektin e madh të modernizimin të rrjetit mobil, shërbimit kryesor që ndërmarrja iu ofron qytetarëve tanë, pa dallim.” tha kryeministri duke theksuar se Vala kaloi plotësisht në kodin shtetëror të Republikës së Kosovës +383, si dhe modernizoi teknologjinë e saj.
Ai shtoi se sot jemi përpara shumë vendeve të rajonit rreth e rrotull, ku rrjeti mobil i Valës mbulon gjithë vendin me 4G+, dhe mbi 65% e territorit të Kosovës shërbehet me 5G.
“Trafiku në rrjetin e Valës po rritet. Klientët janë gjithnjë e më të kënaqur, dhe numri i tyre po shtohet dita-ditës. Të hyrat nga shitja janë në ngritje, dhe e ardhmja e ndërmarrjes është e sigurt. Me udhëheqje vizionare dhe me infrastrukturë të avancuar, Vala është e gatshme të nxisë e të përkrahë transformimin digjital të shoqërisë sonë dhe t’i kontribuojë rritjes së vazhdueshme ekonomike të Kosovës”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se është e jashtëzakonshme të shohim se si Telekomi përparon dhe secilën herë përkundër të gjitha vështirësive që kanë ekzistuar, ndërsa kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, tha se teksa po e promovojmë këtë projekt, Kosova është kthyer në lider në rajon në implementimin e teknologjive më të avancuara të kohës 4G+ dhe 5G në këtë shkallë në nivel vendi.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë,
I nderuari z. Petrit Nahi, kryesues i Bordit të Drejtorëve,
E nderuara znj. Burbuqe Hana, kryeshefe e Telekomit të Kosovës,
I nderuari z. Halil Krasniqi, drejtor teknik i Telekomit të Kosovës,
I nderuar z. Lami Balaj, kryesues i Sindikatës,
Të nderuar inxhinierë e punonjës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Mirë se po takohemi sërish në Telekomin e Kosovës, në një ditë feste për arritjet e secilit dhe të të gjithëve!
Unë kur isha student i telekomunikacionit tri dekada më parë, ndër diskutimet më interesante që bëheshin atëbotë, ishin rreth pyetjes së madhe se ku do të na shpjerë teknologjia e së ardhmes. E kur e mora detyrën e kryeministrit gati katër vjet më parë, ne bënim pyetjen tjetër: si do t’ia dalë mbanë Telekomi i Kosovës si ndërmarrje me potencial të pafund, por e rënduar së tepërmi nga veprimet e gabuara të qeverive të pamatura?
Sot e kemi bashkë përgjigjen në të dy pyetjet, në kureshtjen e të riut që synon dijen dhe inovacionin si puna ime por tri dekada më parë dhe në brengën e drejtuesit të qeverisë tani që kërkon të mbrojë pasurinë publike dhe t’i shërbejë interesit publik.
Përgjigja e parë është një ndërmarrje e rimëkëmbur, me stabilitetit financiar e operativ, po modernizon në tërësi rrjetin mobil me 5G e 4G+ në tërë truallin e Republikës, duke dhënë shembull të mirë për vendin dhe për rajonin.
Ndërkaq përgjigja e dytë, kur morëm detyrën në mars 2021, e bëmë të qartë që do ta ndihmojmë Telekomin, për aq sa Telekomi ndihmon të punojmë së bashku për reforma të thella dhe arritje konkrete. Telekomi qe i gatshëm për këtë rrugëtim. Dhe iu përvesh punës që në ditën e parë, aq sa vetë përkrahjen e Qeverisë e bëri më kuptimplote përveçse më efiçiente.
Telekomi vendosi disiplinën, i ristrukturoi radhët e veta, riktheu fitimin dhe e nisi projektin e madh të modernizimit të rrjetit mobil, shërbimit kryesor që ndërmarrja iu ofron qytetarëve tanë, pa dallim.
Fillimisht, Vala kaloi plotësisht në kodin shtetëror të Republikës së Kosovës +383, duke kursyer pagesat e trafikut ndërkombëtar dhe duke ndihmuar sigurinë shtetërore.
Si hap i dytë, Vala ndërroi fund e krye teknologjinë dhe modernizoi bërthamën me 550 stacione bazë në territorin e shtetit tonë të pavarur. Teknologjia e Valës ishte e stërvjetëruar, e lënë pa mirëmbajtje për gati tetë vjet, çka sfidoi si askund në botë inxhinierët tanë dhe i shtyu ata të gjejnë zgjidhje të mprehta për projektin e modernizimit.
Dhe falë tyre, sot jemi përpara shumë vendeve të rajonit rreth e rrotull. Rrjeti mobil i Valës mbulon thuajse gjithë vendin me 4G+, dhe mbi 65% e territorit të Kosovës shërbehet me 5G. Trafiku në rrjetin e Valës po rritet. Klientët janë gjithnjë e më të kënaqur, dhe numri i tyre po shtohet dita-ditës. Të hyrat nga shitja janë në ngritje, dhe e ardhmja e ndërmarrjes është e sigurt.
Me udhëheqje vizionare dhe me infrastrukturë të avancuar, Vala është e gatshme të nxisë e të përkrahë transformimin digjital të shoqërisë sonë dhe t’i kontribuojë rritjes së vazhdueshme ekonomike të Kosovës.
Vala po e mbron edhe mjedisin! Gjatë modernizimit, ekipet e Valës kanë punuar me përkushtim për të ripërdorur e për të ricikluar materialin që s’ka pasur nevojë të zëvendësohet, duke mënjanuar kësisoj mbeturinat që i bëhen barrë tokës sonë e gjeneratave të ardhshme. Pajisjet e reja kanë rritur efiçiencën energjetike për 35%, dhe kanë zvogëluar emetimet e karbonit për 30%, duke treguar përkushtimin e Telekomit ndaj sfidave më të gjera të shoqërisë sonë.
Republika e Kosovës është me fat që e ka Telekomin e Kosovës. Dhe ne duhet ta ruajmë Telekomin për hir të Republikës. Kjo ndërmarrje është shembull konkret i porosisë që e kemi përsëritur ndër vite, se faji për çdo ankesë nuk është te pronësia publike, por te qeverisja që e shpërfill interesin publik.
Për këtë arsye, ne jemi zotëruar që do ta ngremë Fondin Sovran, për të mbarështuar pasuritë e Republikës dhe për ta nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Ky institucion po ndjek rrugën e Telekomit, po kalon nëpër ato pengesat që kundërshtarët i qesin në mos për të na rrëzuar, për të na vonuar. Por ashtu siç u bë realitet suksesi i Valës sot, do të bëhet edhe Fondi Sovran i Republikës së Kosovës. Dhe, Telekomi i Kosovës apo Vala jonë, do të jenë prej ndërmarrjeve të para shembull të cilën ia besojmë Fondit Sovran për ta administruar e për ta shpjerë përpara, lart e më lart.
Ju faleminderit shumë për të gjithë punën, angazhimin, qe besa sakrificën e kontributin e pamatshëm dhe ju lumtë e ju priftë e mbara. Faleminderit!