Po vazhdon procesi i rinumërimit të vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas përditësimit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më tani janë rinumëruar 832 nga 2557 të tyre.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka treguar një ditë më parë për Klankosova.tv se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të vendvotimeve, i cili po realizohet në bazë të dy vendimeve të KQZ-së.
“Në total, procesi i rinumërimit do të përfshijë të gjitha 2,557 vendvotimet ku është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor më 28 dhjetor 2025. Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi i 914 vendvotimeve, ndërsa me vendimin e dytë, të datës 19 janar 2026, është vendosur që të përfshihen edhe 1,643 vendvotime të tjera, duke e zgjeruar procesin në tërësi”, shtoi ai.
Elezi njëherësh theksoi se aktualisht, numri i ekipeve të numërimit të angazhuara në procesin e rinumërimit gjatë një dite pune është 76.
“Bazuar në këtë kapacitet dhe numrin e vendvotimeve të mbetura për t’u rinumëruar, planifikojmë dhe po bëjmë përpjekje që të gjithë procesin e rinumërimit të arrijmë ta përmbyllim deri në fund të muajit janar”, theksoi më tutje ai.
Ai ma tej ka treguar se pas përfundimit të rinumërimit, KQZ, në fillim të muajit shkurt do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.