Vdes Flora Brovina, gruaja që i mbijetoi burgut serb dhe ia kushtoi jetën Kosovës

Ka vdekur në moshën 76-vjeçare Flora Brovina, një prej figurave të njohura të angazhimit për të drejtat e njeriut në Kosovë, e cila gjatë jetës së saj u përball edhe me burgosjen nga autoritetet serbe gjatë luftës.

Brovina lindi në Skenderaj, ndërsa shkollimin e kreu në Prishtinë. Ajo studioi mjekësi në Beograd dhe Prishtinë, ndërsa specializimin në pediatri e përfundoi në Zagreb.

Fillimisht punoi si gazetare në të përditshmen “Rilindja”, për t’iu rikthyer më pas profesionit të mjekes.

Në vitin 1992 themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare, përmes së cilës u angazhua në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe në çështje humanitare.

Një nga periudhat më të vështira të jetës së saj nisi më 20 prill 1999, kur u rrëmbye nga banesa e saj nga forcat serbe dhe u dërgua në burgun e Pozharevcit në Serbi.

Atje u dënua me 12 vjet burgim. Rasti i saj shkaktoi reagime dhe presion ndërkombëtar, ndërsa Brovina u lirua në vitin 2000 dhe u kthye në Kosovë.

Pas kthimit, ajo vazhdoi angazhimin humanitar dhe politik, duke u bërë një prej zërave të njohur të jetës publike në Kosovë.

Brovina ishte edhe poete. Ajo botoi disa vepra, përfshirë “Verma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979) dhe “Mat e çmat” (1995). Poezitë e saj janë përfshirë në antologji dhe janë përkthyer në disa gjuhë.

Në politikë, Brovina shërbeu si deputete e Kuvendit të Kosovës në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ajo ishte gjithashtu kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Me vdekjen e saj, Kosova humb një figurë që për dekada ishte e pranishme në jetën publike, në veprimtarinë për të drejtat e njeriut, në politikë dhe në letërsi.