Veseli: Të miratohet Pakoja ekonomike sa më parë në përkrahje të familjeve dhe bizneseve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar Parkun e Bizneseve në Drenas, nga ku ka bërë thirrje që sa më parë të votohet Pakoja Emergjente e propozuar nga PDK-ja.

“Jemi në parkun e ndërmarrësve, edhe një herë, mesazhi im është ky: Sa më shpejtë ta kalojmë pakon e rimëkëmbjes ekonomike për faktin se ekonomia ka nevojë, familjet tona kanë nevojë. Kosova nuk guxon të shndërrohet në një vend social, Kosova duhet të jetë një vend i ndërmarrësisë, 280 mijë familje vërtetë kanë nevojë që t’ju dilet në ndihmë, dhe 80 mijë ndërmarrësve. Unë pres sa më shpejtë, në mënyrë sa më urgjente, jemi duke u vonuar, një muaj jemi duke ua humbur 280 mijë familjeve, 39 komunave, jemi duke ua humbur përkrahjen financiare, të cilën e kanë deri 500 mijë euro për komunat nën 50 mijë banorë, dhe me mbi 50 mijë banorë nga 1 milion euro, që t’ju ndihmohet atyre. Shpresoj që shpejt kjo do të realizohet, para çdo marrje të vendimit për ndonjë qeverie që po na lodhin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje, duhet me qenë në rend dite në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pikërisht Pakoja e rimëkëmbjes financiare dhe ekonomike”, tha Veseli.

Ai tha se aktivitetet e tij në terren nuk janë fushatë politike, por duhet t’i qëndrojmë afër atyre që e kanë mbajtur këtë shtet.

“Jo unë nuk jam në fushatë, nuk e kam ndërmend me u ndalë. Mund të marrë ngapak kritika por unë do të respektoj rekomandimet shëndetësore, por duhet me qenë afër njerëzve të cilët e kanë mbajt këtë shtet e këta janë ndërmarrësit”, ka theksuar Veseli.