Vjedhja e madhe në shtëpinë e Agnesa Vuthajt, flasin nga policia

Shtëpia e ish miss-it të Kosovës, Agnesa Vuthaj, ka qenë cak i një vjedhjeje të rëndë. Hajnat në shtëpinë e bukuroshes kosovare vodhën qindra mijëra euro para të gatshme dhe stoli.

Lidhur me këtë, policia përmes raportit 24 orësh ka konfirmuar vjedhjen që ka ndodhur në shtëpinë e Vuthajt, në lagjen “Marigona” në Çagllavicë.

Bëhet fjalë për vjedhjen e 100 mijë eurove para të gatshme dhe stolive të arit në vlerë prej rreth 300 mijë euro, duke përfshirë orë dhe bizhuteri.

Policia thotë se rasti është duke u hetuar dhe është hapur si “vjedhje e rëndë” në stacionin e Graçanicës.

“VJEDHJE E RËNDË /Graçanicë, 13.07.2022 –. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se persona të panjohur kanë hyrë në shtëpinë e saj dhe nga aty kanë vjedhur para të gatshme dhe stoli ari. Njësitë policore relevante janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.

Për vjedhjen nuk është deklaruar akoma ish-missi nga Istogu, Agnesa Vuthaj.

Sipas raportit të brendshëm të Policisë së Kosovës, të cilin e ka siguruar Demokracia.com, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:45 në rrugën “Montana” në Lagjen Marigona në Çagllavicë, ku hajnat vodhën mbi 100 mijë euro para të gatshme dhe rreth 300 mijë euro stoli të tjera.