Vrasja e rëndë në Pejë, çka dihet deri tani?

Një grua është vrarë në rrugën “Mbreti Zog” të Pejës, pasditen e së premtes.

Lajmin për media e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova. Përpos konfirmimit, Rugova bëri të ditur se lidhur me rastin ishte arrestuar edhe një i dyshuar.

“Sot rreth orës 16:00 policia ka pranuar një informatë për një ngjarje në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë. Policia është paraqit në vendngjarje dhe sapo ka arritur aty ka kuptuar se bëhet fjalë për një vrasje të rëndë dhe aktualisht ekipet tona janë në vendngjarje. Ekipet mjekësore kanë konstatuar vdekjen e viktimës aty derisa Policia e ka arrestuar të dyshuarin”, ka thënë Rugova.

Zyrtarët e Prokurorisë Themelore në Pejë e kanë përshkruar rastin si mjaft të rëndë.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi ka bërë të ditur se “dyshohet se i biri e ka privuar nga jeta të ëmën”.

“Kemi dalë në vendin e ngjarjes, së bashku me ekipin e forenzikës, janë izoluar të gjitha gjurmët, janë mbledhur të gjitha provat. Kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës”, tha prokurorja Gashi.

Sipas saj, janë siguruar edhe dëshmitarë të afërt të ngjarjes.

“Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje, në prani të mbrojtësit, mirëpo nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet. Kemi urdhëruar që, nesër, në prezencë edhe të psikologut dhe avokatit mbrojtës, të provohet që të merret deklarata e tij”, theksoi prokurorja Gashi.

Ajo shtoi se në bazë të rrethanave, do të urdhërojnë edhe ekzaminimin e të dyshuarit në Instituin e Psikiatrisë Forenzike.

Megjithatë, as zyrtarët e policisë dhe as prokurorisë nuk kanë dhënë sqarime specifike se në çfarë mënyre dhe me çfarë mjetesh është kryer vepra penale e vrasjes. Gjithashtu, ata nuk kanë dhënë as sqarime se cilat janë motivet e dyshuara për veprën penale, duke thënë se rasti është ende në fazën e hetimeve.

Pa konfirmimin e organeve përkatëse për krimin tragjik në Pejë, mediat kanë raportuar për arsyet që mund ta kenë shtyrë të riun që t’ia marr jetën nënës së tij.

Nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.