Sunny Hill Festival

VV dhe vendimi i Kushtetueses: A do të respektohet afati për konstituimin e Kuvendit?

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili do te duhej t’i japë fund krizës institucionale disamujore për shkak të pamundësisë së konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve, deri tani nuk e ka ndërprerë pasigurinë politike, pasi Lëvizja Vetëvendosje (LVV) deri më tani nuk ka thënë në mënyrë eksplicite se a do ta respektojë atë.

Teksa vendet perëndimore dhe Bashkimi Evropian kërkojnë respektimin e vendimit të 8 gushtit dhe bëjnë thirrje për kompromis, partitë parlamentare përsëri kanë dalë me qëndrime të kundërta lidhur me të – LVV-ja e kritikon, ndërsa të e tjerë e mirëpresin.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në fund të javës së kaluar, vlerësoi se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30-ditësh, se kryetari i këtij institucioni duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe se për një kandidat nuk mund të votohet më shumë se tri herë. Afati fillon të rrjedhë sapo aktgjykimi të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill, por nuk ka përfunduar as pas 54 përpjekjesh, pasi LVV-ja – e cila ka fituar zgjedhjet e muajit shkurt – ka propozuar për kryetare të Kuvendit Albulena Haxhiun, megjithëse është kundërshtuar nga partitë e tjera parlamentare.

Më 1 maj, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ndryshoi mënyrën e votimit, nga i hapur në të fshehtë dhe krijimi i një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë është kundërshtuar nga partitë e tjera parlamentare.

Kurti: Të presim aktgjykimin e plotë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së, më 11 gusht nuk deshi të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve nëse do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me arsyetimin se nuk ka kohë pasi kishte takim tjetër.

Më 12 gusht, ai tha shkurt se “duhet të presim aktgjykimin e plotë [të Gjykatës Kushtetuese]”, duke theksuar se më 8 gusht Kushtetuesja vetëm dha njoftim për vendimin. Megjithatë, Kurti sërish nuk precizoi qartë nëse LVV-ja do ta respektojë vendimin.

As nga kabineti i tij një ditë më herët nuk kanë dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë në pyetjen e Radios Evropa e Lirë nëse do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por kanë theksuar se në këtë pyetje ka dhënë përgjigje ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Megjithatë, Haxhiu, në një konferencë për media më 10 gusht, fillimisht tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese respektohen, por në të njëjtën fjali shtoi se “ato duhet të komentohen, ato duhet të kundërshtohen, siç po e bëj unë këtu”.

Çfarë thotë bashkësia ndërkombëtare?
Nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë presin që “të gjithë fuqitë politika ta respektojnë dhe zbatojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese” dhe se tani u takon politikanëve të “veprojnë në mënyrë urgjente që t’i japin fund kësaj krize gati gjashtëmuajshe”.

“Ne presim një zgjidhje të shpejtë, brenda afatit [të Kushtetueses] dhe u bëjmë thirrje të gjithë hisedarëve politikë që të veprojnë drejt një kompromisi. Dështimi për ta respektuar vendimin paraqet kërcënim për mirëqenien e qytetarëve dhe rrugën e integrimit në BE”, tha Ambasada gjermane në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

Nga Ambasada e Italisë në Kosovë, në pyetjen e REL-it për të komentuar qëndrimin e LVV-së rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kanë thënë se “të gjitha forcat politike duhet të bien dakord për një zgjidhje për ngërçin aktual institucional dhe politik, për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

“Gjykata Kushtetuese ka publikuar sqarime të rëndësishme [për hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit]. Të gjithë anëtarëve të Kuvendit u bëhet thirrje të respektojnë këtë vendim dhe të punojnë së bashku në frymën e kompromisit, në mënyrë që të zgjidhen shpejt kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët”, thanë nga Ambasada italiane për Radion Evropa e Lirë.

Nga Ambasada e Francës në Kosovë dhe nga Departamenti amerikan i Shtetit nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it, ndërsa nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë kanë kujtuar deklaratën e bërë para shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 7 gusht se “aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është me rëndësi jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët, ndërsa vendimet e saj duhet të respektohen dhe zbatohen”.

Edhe Zyra e BE-së në Kosovë, më 8 gusht, ka bërë thirrje për kompromis, duke theksuar se nuk ka kohë për bllokadë politike.

Rasti “Llaban”
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më 10 gusht, po ashtu ka akuzuar një nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llaban, se bashkëpunon me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), duke thënë se këto të dhëna i ka marrë nga institucionet e sigurisë së Kosovës. Ajo ka deklaruar se për gjithçka është njoftuar Gjykata Kushtetuese dhe Prokuroria e Kosovës.

Pak ditë më parë, akuza pothuajse identike për Llabanin kishte bërë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se ky gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe Prokuroria Speciale, deri në publikimin e këtij teksti, nuk i janë përgjigjur pyetjeve të REL-it për këto akuza.

Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.

Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.

Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Sipas Gjykatës Themelore të Kralevës, parashkrimi absolut i ekzekutimit të dënimit ndaj Radomir Llabanit, sipas aktgjykimit të formës së prerë, do të ndodhë më 4 qershor 2032. Në vitin 2017, kjo gjykatë i ka dërguar EULEX-it kërkesën për arrestimin e Llabanit, por kjo mision i BE-së kishte deklaruar se nuk kishte mandat ta kryejë një arrestim të tillë.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se sulmet publike të presidentes Vjosa Osmani dhe ministres në detyrë Albulena Haxhiu, “e minojnë qartë pavarësinë dhe integritetin e këtij gjykatësi”.

“Sikur të kishte prova dhe fakte të pakontestueshme që ndonjë zyrtar i lartë publik paraqet kërcënim për rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare, të njëjtat do të duhej t’i dërgohesh Prokurorisë për procedim penal. Në shoqëritë demokratike, që çmojnë sundimin e ligjit dhe parimet e qeverisjes së mirë, ministrja apo presidentja nuk duhet t’i zgjidhin çështjet e sigurisë kombëtare nëpërmjet konferencave për media”, thotë ai.

Miftaraj shton se LVV-ja, të paktën në katër vjetët e fundit, ka pasur të gjitha resurset dhe mundësitë përmes institucioneve të zbatimit të ligjit për të hetuar dhe ngritur çështje në prokurori dhe gjykatë, për të mbështetur akuzat publike ndaj Lëabanit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka ngritur publikisht këtë çështje deri në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse ajo ka marrë edhe shumë vendime të tjera që LVV-ja nuk i ka kundërshtuar. Prandaj, akuzat e fundit publike mund të shihen si një mjet politik kundër Gjykatës Kushtetuese, me synim të zvogëlimit së besueshmërisë dhe integritetit”, vlerëson ai.

Pjesëmarrja e gjyqtarit Llaban në vendimmarrje deri më tani nuk ka qenë kontestuese për LVV-në, e cila vetë i është drejtuar Kushtetueses për sqarime.

Në qershor të vitit 2020, për shembull, ajo kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, duke pretenduar se vota e deputetit të Partisë Ashkalinjve, Etem Arifi, ishte e pavlefshme pasi ai ishte i dënuar me burgim me vendim të formës së prerë. Në fillim të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të LVV-së dhe Qeveria e Hotit ra, duke e çuar vendin në zgjedhje, të cilat LVV-ja i fitoi dhe erdhi në pushtet.

Më herët, në prill të vitit 2020, LVV-ja i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për mendim, duke tentuar të kundërshtonte dekretin e presidentit të atëhershëm Hashim Thaçi, me të cilin Avdullah Hoti ishte caktuar mandatar për formimin e Qeverisë.

Një nga kërkesat e fundit të LVV-së në Gjykatën Kushtetuese ka qenë në mars të këtij viti, kur kjo parti kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme, e cila kishte refuzuar ankesën e saj për votat nga diaspora.