Sunny Hill Festival

VV dorëzon ankesë në PZAP, kundër certifikimit të Listës Serbe

Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka dërguar sot ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ku kundërshton certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Nga kjo parti kanë potencuar se Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ditë më parë në mënyrë të paprecedent dhe në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e lejoi Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje.

“Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dorëzuar përmes postës ankesë në PZAP kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe në emër të KQZ-së, me kërkesën për anulimin e këtij vendimi. Nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, thuhet në njoftim.

Lista Serbe, sipas njoftimit të LVV-së ka qenë dhe mbetet partia e kryeterroristit Radojçiq.

“Ajo dikur përdorej nga Radojçiqi kundër shtetit të Kosovës, kurse tani po shërben si struktura që mbron dhe amniston terrorizmin. Institucionet e pavaruara të Republikës, siç është KQZ jo vetëm që duhet të mbrojnë vlerat si rendi ligjor e kushtetues, por së paku duhet të ruajnë integritetin e tyre institucional. Nuk mund të lejohet që për t’i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për Zgjedhje dhe çdo praktikë e rregullt. Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe”.”, thuhet në komunikatën e kësaj partie të postuar në Facebook, bashkangjitur dhe ankesën e përcjellë në KQZ.